Hetimi për Parkun, Veliaj i përgjigjet Nishanit: Është për të qeshur

30/05/2016 00:00

Kryebashkiaku Veliaj i është përgjigjur interesimit të mediave lidhur me hetimin ndërkombëtar të kërkuar nga Presidenti Nishani për këndin e lojërave të ndërtuar në zonën e Parkut të Liqenit.

“Më duket shumë për të qeshur dhe për një President i cili nuk prononcohet për gjëra shumë të rënda në Shqipëri, i kërkon Hagës të investigojë kalamajtë dhe lojërat. Më duket një mënyrë shumë butaforike për të lënë detyrën. Më dhimbset, me thënë të drejtën, por jeta kjo është, njerëzit bëjnë gafa dhe duhet të jetojnë me gafat që bëjnë.”- u shpreh Veliaj i pyetur nga gazetarët gjatë përurimit të Monumentit të miqësisë Shqipëri-Kuvajt.

Gjithashtu gjatë fjalës së tij, Veliaj vuri theksin edhe te inaugurimi i 1 qershorit duke vlerësuar se në këtë datë do të jepet edhe një mësim i rëndësishëm.

“Të gjithë duhet ta mirëmbajmë pronën publike, ndaj besoj se në datën 1 qershor do të nxjerrim edhe një mësim shumë të rëndësishëm se nuk duhet bërë shumë zhurmë për asgjë.”- tha Veliaj.

Top Channel