
Një protestë është zhvilluar sot përpara bashkisë së Kurbinit, të drejtuar nga kryebashkiaku Artur Bardhi, i cili sipas Partisë Demokratike ka pesë emra, ndërsa ai vetë ka deklaruar se ka pasur vetëm 3 të tjerë, përveç aktualit.
Nën drejtimin Sekretarit për Aksionin qytetar në PD, Ervin Salianji protestuesit janë bashkuar duke kërkuar largimin e kryetarit, si person i inkriminuar.
Salianji, duke përmendur krimet për të cilat akuzohet dhe fshehjen e të dhënave që ka bërë Bardhi, u shpreh se është koha që banditët të lënë menjëherë zyrat dhe pushtetin.
“Pesë emra ka deklaruar kryetari i këtij institucioni që kemi pas, që është Bashkia e Kurbinit. Nuk i mjafton Edi Ramës që Artur Bardhi, apo Artur Ndoj, apo Gentian Lila, apo Altin Tanushi, apo Gent Bushi, njëri prej këtyre personave, i cili fizikisht është ky individ që drejton Bashkinë e Kurbinit të jetë person me precedent penal. Në vend që ta zhdukë, në vend që ta shporrë, në vend që ta çojë në burg dhe t’i tregojë vendin, Edi Rama e mban në krye të bashkisë të Kurbinit duke i dhënë mbrojtje politike”, tha Salianji.
Më tej ai theksoi se jo vetëm Artur Bardhi, por edhe shume drejtorë janë të inkriminuar, e disa prej tyre sipas Salianjit kanë qenë të akuzuar për grabitje të armatosur të Bankës së Kurbinit.
“Zotëria që është kryetar bashkie me njërin nga 5 emrat apo 2 të tjerët që ka fshehur, apo edhe drejtorët e bashkisë, apo edhe deputeti, kanë qenë të akuzuar në vitin 1997 për grabitje të armatosur të Bankës së Kurbinit. Po ashtu këta persona janë nën akuza të rënda për trafik prostitucioni, për trafik droge, për trafik dhe shpërndarje të lëndëve narkotike dhe vazhdojnë e qëndrojnë sot në krye të bashkisë dhe të bashkive të këtij vendi”, u shpreh Salianji.
Top Channel