Në burg djali dhe nëna, vranë babanë e alkoolizuar e të dhunshëm

29/05/2016 00:00

Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për nënën dhe njërin prej djemve të akuzuar për vrasjen e kryefamiljarit Mirosh Djaloshi, ndërsa u la në arrest me afat 40-ditor, djali i mitur i viktimës.

Në seanca të veçuara, Gjykata e Durrësit ka dëgjuar prokurorin e çështjes Drini Pali, mbi akuzat e ngritura ndaj gruas dhe dy djemve të viktimës, si dhe mbrojtjen e të arrestuarve, të cilët përveç dhënies së gjeneraliteteve nuk kanë deklaruar asgjë në seancë.

Ndonëse në Prokurori djali i madh i viktimës ka pranuar krimin, duke shfajësuar nënën dhe vëllain 16-vjeçar, prokurori kërkoi lënien në arrest të tyre, si bashkëpunëtorë në vrasjen e Djaloshit me sende të forta më 18 mars të këtij viti.

Nga dëshmitë e familjarëve rezulton se, viktima ishte një person i alkoolizuar dhe që ushtronte dhunë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes, dhunë që ka shërbyer si motiv dhe për kryerjen e krimit të pranuar nga Arban Djaloshi, pas ndalimit nga policia disa ditë më parë.

Top Channel