
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është takuar gjatë javës me banorë të Shirgjanit, Gjergjanit dhe Bradasheshit. Fermerët e Gjergjanit thanë se kanë 3 vite që nuk shohin asnjë investim për bujqësinë, as subvencione, asgjë. Investimet e fundit në këtë zonë, – thonë banorët, – sa i përket infrastrukturës bujqësore ashtu dhe asaj rrugore kanë qenë në kohën kur Basha ishte deputet i Elbasanit.
Ata i kanë kujtuar se çdo premtim që u ka dhënë e ka bërë realitet dhe tashmë janë të bindur se nesër kryeministër, Lulzim Basha do ta ndryshojë Shqipërinë, ndërkohë që kreu i PD-së u ka premtuar së pari uljen e çmimit të energjisë.
“Çmimi i energjisë do të ulet për konsumatorin dhe për biznesin. Prioritet numër një do të jetë bujqësia”.
“Kam mundësi unë t’i laj dritat me 4 mijë lekë? Pastaj thonë mos i nxjerr fëmijët në rrugë të lypin, të mbledhin kështu, të mos bëjnë ashtu, na marrin votat e kur vjen puna na lenë pa bukë”, tha një banor.
“2016-a, të vdesësh për një thes miell, ky është nami i zi”, deklaroi një tjetër banor.
Udhëheqësi i opozitës premtoi përjashtimin e familjeve të varfra nga taksat dhe pagesat e shërbimeve publike.
“Familjet në ndihmë ekonomike nuk do të paguajnë taksa, as faturë energjie deri në 300 kË dhe as faturë uji të pijshëm. T’i japësh 5 lekë fukarait me një dorë dhe t’i marrësh 10 me tjetrën, ky është krim, kjo nuk është ndihmë ekonomike”, tha Basha.
Për të ndihmuar fermerët, ai lajmëroi se buxheti i bujqësisë do të jetë 150 milionë euro në vit, nga të cilat 100 milionë euro do jenë subvencione të drejtpërdrejta për fermerin.
“Ne do ta mbështesim blegtorinë me subvencione të drejtpërdrejta. Çdokush që ka bagëti, lopë, dele, dhi do të marrë për kokë subvencionet, për kokë”, premtoi Basha.
Top Channel