Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në Partinë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, deklaroi të shtunën se “Saimir Tahiri është kapur në një tjetër aferë kriminale”.
“Duke ofruar shërbimin e tij, ka garantuar paprekshmëri për Durim Bamin, i cili u denoncua nga qytetarët pasi më 21 maj, në orën 17.00, ky i fundit ishte në një lokal në qendër të Niklës, i pajisur me armë pa leje e me veshje antiplumb, edhe pse gjendet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe e ka të ndaluar me vendim gjykate të dalë nga banesa. Dhe është pikërisht policia e Tahirit që duhet të garantojë zbatimin e këtij vendimi gjykate. Me ndihmën e shefit të komisariatit, Erjon Ismaili, pjesë e grupit të besuar Shullazi-Tahiri, Bamit i janë ofruar lehtësi. Një nga ushtarët e tij është paraqitur dhe është lejuar ta marrë përsipër ai përgjegjësinë për armët dhe pajisjet e tjera të paligjshme”, u shpreh Alibeaj.
“Kështu, Bami i shpëtoi procedimit, me një ndërhyrje të kontrolluar nga fillimi deri në fund prej Saimir Tahirit. I akuzuari si vrasës me pagesë nga vetë radhët e mazhorancës, i dyshuari për vepra të rënda penale, është një njohje e vjetër e Saimir Tahirit. Saimir Tahiri ka ndërmjetësuar e ka kuvenduar me të privatisht në zyrën e ministrit të Brendshëm, në plazhe e rezidenca qeveritare. Bami mbajti qëndrimin e duhur në kohën kur u akuzua se ishte pajtuar nga Meta për të vrarë dy deputetë, qëndrim që solli mbylljen e çështjes dhe ndihmoi Ramën për të kapërcyer krizën e madhe politike, ndaj sot shpërblehet nga Saimir Tahiri me paprekshmëri e me leje për të qarkulluar i armatosur. Kjo është një tjetër dëshmi e lidhjes së Saimir Tahirit me krimin. Dëshmi e marrdhënies së ngushtë që ai ka me banditë, trafikantë e vrasës”, shtoi Alibeaj.
Top Channel