Meta pret Presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s

28/05/2016 16:15

Në kuadër të punimeve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që po zhvillohet në Tiranë, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti në një takim Presidentin e kësaj Asambleje, Kongresmenin Michael Turner.

Gjatë këtij takimi u diskutua për sfidat me të cilat ballafaqohet Aleanca e Atlantikut të Veriut, të cilat janë duke u diskutuar gjerësisht edhe gjatë punimeve të kësaj Asambleje, si situata në Lindjen e Mesme dhe rreziku që vjen nga terrorizmi dhe shteti islamik i ISIS, kriza e refugjatëve, situata e sigurisë në rajon dhe në kufijtë e Aleancës, politika e dyerve të hapura dhe anëtarësimi i Malit të Zi në NATO.

Meta theksoi se Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj konstruktiv për paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe në misionet e drejtuara nga NATO në dobi të paqes dhe sigurisë globale.

Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit nënvizoi rëndësinë që ka modernizimi i mëtejshëm i Forcave të Armatosura dhe strukturave të tjera të sigurisë kombëtare, duke rritur kapacitetet njerëzore, infrastrukturore dhe buxhetet respektive.

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, z. Turner shprehu falënderimet në emër të Aleancës për Kuvendin e Shqipërisë për organizimin e kësaj ngjarje madhore në Tiranë dhe theksoi se Shqipëria është një anëtar i përkushtuar dhe i vlerësuar i saj.

Ilir Meta priti edhe kryetarin e parë të Asamblesë Kombëtare të Azerbajxhanit, Ziyafat Asgarov në një takim dypalësh.

Meta vlerësoi intensifikimin gjatë viteve të fundit të bashkëpunimit politik mes dy vendeve. Në këtë kuadër, u shpreh se mirëpriten shkëmbime të tjera të nivelit të lartë si dhe rritja e përfaqësimit diplomatik në të dy vendet.

Duke ndarë bindjen e përbashkët për forcimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, Meta dhe Asgarov nënvizuan rëndësinë e realizimit me sukses të projektit TAP, si një projekt me rëndësi strategjike për të dy vendet dhe për gjithë Evropën. Në këtë kontekst, Meta vuri në dukje se shtrirja e rrjetit të gazifikimit të Shqipërisë si dhe zgjerimi përmes IAP i korridorit transadriatik pas përfundimit të TAP, do t’i shërbejë të gjithë rajonit të Ballkanit.

Top Channel