
Ka zgjatur më pak se një ditë mundësia e takimit javën e ardhshme mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. Duke dënuar me përjashtim nga Kuvendi për 10 ditë ish-kryeministrin Sali Berisha, ndodhi ajo që pritej. Grupi i Partisë Demokratike do të bojkotojë po kaq ditë çdo aktivitet parlamentar.
“Sepse në një Parlament ku nderohen kriminelët dhe trafikantët e drogës dhe prostitutave dhe dënohen ata që denoncojnë krimin, ky duket akti më i lehtë që mund të ndërmarrim”, tha Edi Paloka.
Ndërsa Jozefina Topalli u shpreh se “vendimi tregon që ata kanë frike dhe tregojnë mentalitetin e etërve që pushkatuan opozitën parlamentare në vitin 1946”.
Por, tani në lojë nuk janë vetëm 10 ditët e bojkotit, por edhe një përpjekje e saponisur për një takim mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës.
Lulzim Basha nuk është në Tiranë, por nëpërmjet një deklarate ai e komentoi përjashtimin e ish-kryeministrit si një shenjë krize të Edi Ramës, i cili i mbyll opozitës çdo derë bashkëpunimi.
“Kjo është manovër e Edi Ramës dhe Ilir Metës për t’i mbyllur derën opozitës. Për t’i mbyllur derën në Parlament dhe në tryezat ku ajo duhet të jetë e pranishme. Për t’i mbyllur derën në reformën e drejtësisë, në reformën zgjedhore”, shkroi Basha.
Me përgjigjen e tij, Lulzim Basha lë të kuptohet se as pas 10 ditësh nuk do të ketë një ulje në tryezë me Edi Ramën. Sepse, siç thotë ai, duke lënë opozitën jashtë një salle apo jashtë një tryeze, Edi Rama dhe Ilir Meta vetëm sa po thellojnë izolimin e tyre dhe po përshpejtojnë rënien e pashmangshme.
Top Channel