TCH takon Ramën me Bashën. Dialogu në distancë në “Top Story”, takimi pritet javën tjetër

27/05/2016 00:00

Edi Rama e ka dëgjuar Lulzim Bashën në “Top Story” dhe nuk ka humbur kohë. Shefja e tij e kabinetit i ka shprehur homologes së saj në Partinë Demokratike, gatishmërinë e kryeministrit për t’u takuar me kreun e opozitës.

“Propozime, jo kushte. Dëshirojnë të dialogojnë? Që sot apo që nesër. Çfarëdo formati që kundërshtari im politik të jetë komod, ne nuk kemi asnjë problem ta pranojmë, me kusht të vetëm që dialogu të jetë pa kushte”.

Këtë herë nuk mungon as koha konkrete e takimit. Kryeministri thotë se, që nga ora 11 e së shtunës ai është i gatshëm të takohet me kreun e opozitës. Por takimi ndoshta do të ndodhë javën e ardhshme, sepse deri të martën Lulzim Basha nuk do të jetë në Shqipëri për shkak të një axhende të paracaktuar, që lidhet me kremtimin e 40-vjetorit të “EPP”-së në Luksemburg.

Në një përgjigje të shkurtër, shefja e kabinetit të Bashës thotë se, kreu i opozitës është i gatshëm të takohet që prej së mërkurës. Ndërsa për të rakorduar ditën, vendin dhe formatin e takimit do të nisin kontaktet e menjëhershme mes dy kabineteve.

Edi Rama e ka bërë një propozim të vetin: Salla e hartave në godinën e Këshillit të Ministrave, ku ai do të jetë i shoqëruar nga Fatmir Xhafaj i Komisionit të Drejtësisë, si dhe Bashkim Fino i Reformës Zgjedhore. Me këtë format, – siç pohohet në letër, – kryeministri pranon edhe atë që kreu i opozitës e quan një dialog pa kushte.

“E vetmja gjë që kërkojmë nga ky dialog është që të jetë produktiv dhe të mos jetë një farsë sa për të bërë fotografi e për t’u hedhur hi syve shqiptarëve”, tha një ditë më parë kreu i PD-së, Basha.

Deri tani ndërkombëtaret ishin kanali i komunikimit mes palëve për t’u ulur në dialog, por ata nuk kishin pasur sukses, deri në shprehjen publike këto dy ditë të Edi Ramës dhe Lulzim Bashës në Top Channel.

Top Channel