Futbollistët e Realit të Madridit do të shpërblehen me 700 mijë euro secili nëse arrijnë të fitojnë trofeun e Ligës së Kampioneve në finalen e së shtunës në Milano, ndaj Atletikos së Madridit. Presidenti i klubit “merengues”, Florentino Perez dhe futbollistët kanë arritur marrëveshjen për këtë çështje, bisedimet për të cilën kishin nisur që përpara 2 prillit.
Sipas asaj që puiblikohet te “OK Diario”, kapitenët e Realit: Sergio Ramos, Marcelo, Pepe e Cristiano Ronaldo u takuan me Perezin për të vendosur masën e shpërblimit për fitoren e titullit të 11 të kampionit të Evropës. Pjesën më të madhe të shpërblimit do ta përfitojnë lojtarët e skuadrës së parë dhe trajneri, ndërsa lojtarët e filialit që janë aktivizuar gjatë këtij sezoni do të shpërblehen në mënyrë proporcionale.
Kështu, lojtarët do të përfitojnë 700 mijë euro, ndërsa Zidane do të marrë dyfishin e kësaj shifre, 1 milionë e 400 mijë euro. Shpërblimi i akorduar për lojtarët në këtë vit është më i lartë se ai i vitit 2014, kur Reali fitoi titullin e 10 në finalen e Lisbonës, ku si kundërshtar kishin sërish Atletikon e Madridit.
Top Channel