Deputeti i Partisë Socialiste, Alfred Peza i ka bërë apel prokurorisë që të hetojë rastin e deputetit Flamur Noka, si dhe kryetarit të PD që të dalë me një qëndrim zyrtar në lidhur me deputetin e tij.
“I kërkojmë kryeprokurorit që të nisë hetimet dhe njëkohësisht kryetarit të PD që të thyejë heshtjen dhe të shprehet publikisht për rastin Noka”, ka deklaruar Peza, i cili i është drejtuar në mënyrë direkte liderit të opozitës.
“Zoti Basha, në kulturën tuaj politike gjëja më e thjeshtë ka qenë hedhja e baltës dhe akuzave ndaj kundërshtarëve duke i quajtur kriminelë, por nëse e keni seriozisht kauzën e dekriminlizimit, atëherë duhet ta tregoni sot për deputetët tuaj, sepse ka një provë konkrete”, ka thënë Peza.
Ai ka theksuar se, shqiptarët duhet të shohin baltën e deputetëve të Bashës ndaj atyre të PS nga njëra anë dhe nga ana tjetër deklaratën e Nokës, “i cili ka mashtruar në formularin e vetëdeklarimit dhe duhet të lërë mandatin”.
“Ndaj është koha që prokuroria të nisë hetimet dhe Basha të shprehet publikisht dhe zyrtarisht se çfarë do të bëjë PD me deputetin e saj në shkelje flagrante të ligjit”, ka shtuar Peza.
Top Channel