PD: Çështja e pajisjes së përgjimit po ndërkombëtarizohet

27/05/2016 12:25

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka deklaruar këtë të premte se, media italiane po konfirmon dhe thellon dyshimet në lidhje me pajisjen e përgjimit që ka hyrë në Shqipëri dhe që sipas tyre gjendet në ambasadën italiane.

“Media italiane jo vetem e vë theksin tek futja e pajisjes në mënyrë të paligjshme, pa u regjistruar apo deklaruar, por ngre alarmin për përdorimin e saj pa autorizimin e Prokurorit të Përgjithshëm”, ka deklaruar Noka.

Sipas tij, është gazeta “Il Fatto Quotidiano” që ka shtruar pyetjen: Nëse pajisja do të përdorej vetëm për trajnimin e punonjësve të policisë shqiptare, atëherë përse ajo nuk është deklaruar, përse është mbajtur e fshehtë?

“Skandali i përgjimit të paligjshëm ka tronditur tashmë edhe vendin fqinj. Media italiane flet për dyshime, për lidhje në konflikt interesi me kompaninë prodhuese të pajisjes së gjurmimit”, ka thënë Noka.

Ai ka akuzuar kryeministrin Rama se, pavarësisht se çështja po ndërkombëtarizohet, sërish ai nuk jep asnjë shpjegim para opinionit publik në lidhje me të.

“Sa më shumë hesht Edi Rama, aq më shumë thellohet skandali, aq më shumë cënohen Kushtetuta dhe të drejtat e liritë themelore të njeriut”, ka thënë Noka.

Noka ka theksuar se, kjo histori ka nevojë për një transparencë tërësore, e cila sipas tij mund të bëhet duke shkarkuar ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

“Saimir Tahiri duhet të dalë para ligjit, prokuroria të hetojë në mënyrë të pavarur e të pandikuar dhe të vendoset largimi i menjëhershëm i Tahirit dhe drejtorit të përgjithshëm të policisë”, ka shtuar Noka. 

Top Channel