Një operacion ndërkombëtar policor është zhvilluar mes Shqipërisë, Italisë, Gjermanisë dhe Spanjës. Ky operacion ka çuar në pranga 38 persona, 31 nga të cilët janë shtetas shqiptarë dhe ka çuar në kapjen e një sasie prej 130 kilogramë kokaine dhe heroine.
Hetimi nisi prej shkurtit të vitit 2014, kur në Milano policia kapi një sasi prj 43 kilogramë heroinë. Prej asaj dite e deri më 24 maj të vitit 2016 ka nisur bashkëpunimin për shkatërrimin e rrjetit të trafikut të drogës. Policia e Shtetit bën të ditur se aktiviteti kriminal i kësaj organizate zhvillohej kryesisht në zonën veriore të Italisë.
“Me qëllim kapjen dhe vënien përpara organeve të drejtësisë të elementëve të kësaj organizate, pas një plani të përbashkët ndërpolicor midis vendeve, u zhvillua një operacion i përbashkët në të njëjtën hapësire kohore me partnerët tanë të shërbimeve policore të Italisë, Spanjës, Gjermanisë dhe Marokut. Specifikisht në Itali janë goditur elementët kriminalë të grupit të strukturuar në qytetet e Monxës, Briancës, Bolonjës, Bolcanos, Breshias, Komos, Xhenovës, Rietit, Torinos, Triestes dhe Viçencës. Ndërkohë, në Shqipëri u lokalizuan dhe ekzekutuan vendimet e arrestit ndërkombëtar në qytetet Tiranë, Durrës, Gramsh, Elbasan, Fier dhe Kavajë. Operacioni i përbashkët ndërkombëtar policor është koduar “RICCIO” dhe nëpërmjet tij është mundësuar dokumentimi e arrestimi i anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal të përbërë nga shtetas me kombësi të ndryshme, të cilët janë përgjegjës për veprimtarinë kriminale të trafikimit, mbajtjes dhe shpërndarjes së substancave narkotike heroinë dhe kokainë”, tha zv/drejtori i Policisë së Shtetit Ardian Çipa.
Top Channel