Rritja ekonomike ishte kryefjala e takimit të G7-s në Japoni, ku kryeministri i vendit Shinzo Abe u kujdes ta bënte të qartë nevojën e një sinjali të fortë në këtë drejtim.
Abe theksoi se situata aktuale është alarmuese dhe solli në vëmendje vitet e krizës së një kohe jo shumë të largët.
Çmimet e lëndëve të para, kujtoi ai, kanë rënë me 50 për qind midis qershorit 2014 dhe janarit 2016, po në atë masë që ranë pas kolapsit të bankës së investimeve “Lehman Brothers” dhe krizës ekonomike që pasoi.
Kjo është arsyeja përse kryeministri japonez kërkoi mbështetje për ta nxitur konjukturën dhe për më shumë investime.
E lidhur me ekonominë ishte dhe një çështje tjetër e ngutshme që trazon liderët e shtatë vendeve më të industrializuara të botës: mundësia e shkëputjes së Britanisë nga Bashkimi Europian.
Në deklaratën e përbashkët, krerët e G7-s treguan se qëndrimi i tyre në këtë drejtim është i njëzëshëm: dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja do të përbënte një kërcënim serioz për rritjen globale.
Kryeministri David Cameron argumentoi se një veprim i tillë do t’i kushtonte shtrenjtë vendit, pasi do të cënonte marrëveshjet e tij tregtare.
“Nëse do të ishim jashtë BE-së, do ta kishim shumë më të vështirë të arrinim marrëveshje të shkallës që njohim sot, ujdi kaq të plota e gjithëpërfshirëse”, deklaroi Cameron.
Një iniciativë e përbashkët ekonomike e kërkuar në këtë takim reflekton vullnetin që të bëhen të mundura të gjitha masat financiare monetare të nevojshme për të nxitur rritjen ekonomike. Por Gjermania këmbëngul se gati të gjitha hapat e mundshëm në këtë drejtim janë shfrytëzuar.
Top Channel