Tanini: Nuk jam për t’u shitur. Në protesta edhe për 17-katëshin

26/05/2016 00:00

Autori i skulpturës “Ëndrra fëmijërie”, vepër e cila u përzgjodh nga Bashkia e Tiranës për t’u financuar e vendosur në një nga sheshet e kryeqytetit, Elian Tanini ka reaguar pas kritikave që mori një ditë më parë.

Transformimi i protestuesit kundër projekteve të bashkisë, në artist i mbështetur nga bashkia që drejton Veliaj, nuk ka kaluar në heshtje. Tanini, si artist shpjegon se, këtë vepër nuk e realizoi dot me ish-kryebashkiakun Basha.

“Tre vite më parë, këtë ide për një skulpturë parku e ka parë edhe Lulzim Basha në zyrën e tij. Por asgjë, fjeti atje. Deri më sot flinte me mua, pastaj qëndronte në dhomën e pritjes, derisa një ditë hasa në konkursin e skulpturave të parkut”, thotë Eliani.

Tanini si protestuesi iu drejtohet edhe medieve.

“Mos u merrni me mua, më 1 Qershor unë do të dal për Parkun e Liqenit pa beton. Një dorë e shtrënguar nuk tregon asgjë! Unë nuk jam shoqëri civile që merr parà lart e poshtë, por qytetar i angazhuar”, tha më tej Tanini.

Tanini pohon se do të jetë më 1 qershor për parkun pa lojëra, por nuk përdor fjalën protestë. Gjithsesi, ai do të jetë në gjyq më 3 qershor për këtë çështje, duke konfirmuar transformimin e tij në protestues i rrugëve ligjore.

Por Tanini siguron se nuk do të heqë dorë nga protestat. Madje do të marrë pjesë edhe në shumë të tjera. Ai thotë se do t’i bashkohet edhe protestës kundër “ndërtimeve të 17-katësheve” te diga, kësaj radhe përkrah Erion Veliajt.

Sazani, jo prej guri. Zbutet ambientalisti dhe aplikon për projekt te Veliaj

Sazani Guri, ambientalisti që është përplasur me kryebashkiakun Veliaj në protesta, por jo vetëm, ka kërkuar bashkëpunim nga Bashkia e Tiranës.

I angazhuar në një projekt për riciklimin e mbetjeve urbane, ambientalisti e ka shumë të nevojshme bashkëpunimin nga Bashkia e Tiranës për të vijuar punën, por edhe për të bindur organizmat ndërkombëtarë që e mbështesin.

Mësohet se projekti është në fazat e para dhe Sazan Guri ka marrë një miratim paraprak për bashkëpunim nga bashkia e drejtuar prej Veliajt.

Top Channel