Marrëveshja e Greqisë, reagime pozitive të politikanëve

26/05/2016 00:00

Zhvillimet e fundit në samitin e Eurogrupit për Greqinë janë pritur me pozicionime pozitive jo vetëm nga analistët, por edhe nga politikanët, të cilët vlerësojnë se tashmë nuk ka më asnjë dyshim që klima ka ndryshuar dhe se, gradualisht, Greqia ka filluar rrugën e saj për daljen nga kriza.

Në një intervistë për agjencinë ekonomike gjermane “Market News International”, Komisioneri i BE-së për Ekonominë, Pier Moscovici thekson se, marrëveshja për vlerësimin e programit grek e arritur në samit ishte një fitore për të gjitha palët dhe ajo nuk do të japë oksigjen vetëm tek ekonomia greke, por do të krijojë dhe bazën që në program të futet edhe FMN-ja.

Edhe ministri grek i Financave, Euclid Tsakalotos ka theksuar pasditen e së enjtes se, për herë të parë në 7 vitet e fundit u njoh fakti se borxhi grek është i paqëndrueshëm dhe se, marrja e parave të këstit të ndihmës që do t’i japin ekonomisë një hov të ri hap premisa për një vlerësim të ri në reduktimin e tij.

Kriza greke është lehtësuar, por ka ende shumë punë për t’u bërë në sferën ekonomike, ka theksuar nga samiti i G7-s në Japoni, edhe Presidenti amerikan Barack Obama.

Në të njëjtën gjatësi vale ka qenë edhe deklarata e ministrit gjerman të Financave, Ëolgang Schauble, i cili ka thënë para gazetarëve të huaj në Berlin se, Athina duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen rrugën e vështirë nëse kërkon vazhdimësinë e solidaritetit europian. I pyetur nëse këshillon investitorët gjermanë të investojnë në Greqi, ai është përgjigjur se Greqia është një vend me shumë mundësi.

Top Channel