Shukri Xhelili ankimon “shkarkimin” në Kushtetuese. Pezullohen zgjedhjet

25/05/2016 00:00

Shukri Xhelili po vuan arrestin me burg pas 3 akuzave në lidhje me videoskandalin, që i kushtoi edhe shkarkimin nga detyra e kryebashkiakut. Por, Shukri Xhelili po provon edhe mundësinë e fundit në hierarkinë ligjore.

Ai ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Këshillit të Ministrave, që e shkarkoi për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe ligjeve. Në të shkuarën, gjykata ka marrë vendime për dy raste të ngjashme shkarkimi, kur dy kryetarë komunash u shkarkuan nga qeveria në vitin 2011 dhe 2013, pas raporteve të deklarimit të pasurive dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Vendimet e gjykatës janë barazim. Për të parin është lënë në fuqi vendimi i qeverisë, për të dytin vendimi i qeverisë është rrëzuar dhe kryetari i komunës u kthye në detyrë.

Sido që të jetë vendimi i ri i Gjykatës Kushtetuese, efekti i menjëhershëm i ankimimit është pezullimi i veprimeve që kanë lidhje me shpalljen e zgjedhjeve, sepse Kushtetuta detyron Presidentin që të presë vendimin e Kushtetueses.

Në një afat normal, gjykata ka kohë dy muaj ta marrë në shqyrtim çështjen dhe më pas nuk ka kufizim kohor se kur e shpall vendimin. Por, burime zyrtare konfirmuan për Top Channel se gjykata do të ketë një vendimmarrje të shpejtë për këtë çështje, për shkak të interesit të lartë publik.

Top Channel