Nuk ka dyshim se aplikacionet për telefonat celularë janë një nga temat e ditës për cilindo prej nesh që përdor një telefon inteligjent. Por zor se ndonjëherë kemi folur për rregullat e kushtet e tyre, apo i kemi lexuar ato para se të instalojmë një aplikacion në telefonin tonë.

Thjesht i kemi pranuar pa u menduar fare dhe pa marrë kurrë mundimin që t’i lexojmë. Por nuk ka qenë i këtij mendimi Këshilli norvegjez i Konsumatorëve, i cili për të vënë në dukje zgjatjen e pafundme të këtyre rregulloreve, ka vendosur që t’i lexojë.

Sipas Këshillit, mesatarisht, çdo norvegjez ka 33 aplikacione në celularin e tij, rregulloret e të cilave janë më të gjata se sa “Dhiata e Re”. Për ta vërtetuar këtë, Këshilli i Konsumatorëve vendosi që t’i lexojë këto rregulla dhe kushte për çdo 33 aplikacione në një transmetim të drejtpërdrejtë në internet.

Leximi i pandërprerë përfundoi pas 31 orësh 49 minutash dhe 11 sekondash. Mes aplikacioneve të përzgjedhura ishin ato me te njohura si Facebook, Skype, Instagram e të tjera.
 
“Gjendja aktuale e rregullave dhe kushteve për shërbimet dixhitale ka arritur në absurd. Qëllimi, zgjatja dhe ndërlikimi i tyre bëjnë që të jetë e pamundur të marrësh vendime të mira dhe të informuara”, deklaroi Fin Mirstad nga Këshilli norvegjez i Konsumatorëve.

Sipas këtij organizmi, industritë e përfshira në botën dixhitale duhet të shkruajnë rregulla dhe kushte më të shkurtra e më të qarta, duke vënë në përdorim një standard të përbashkët e jo të bëjnë hartime pa fund, vetëm që të jenë të mbrojtur ligjërisht në çdo situatë.

Top Channel