
Novak Djokovic e nis me një fitore të lehtë rrugëtimin në turnen Grand Slam të Roland Garros-it, të cilin kërkon ta fitojë për herë të parë në karrierën e tij. Numri 1 i renditjes botërore mundi në raundin e parë tenistin nga Tajvani, Jen Hsun Lu, me rezultatin 3-0, në vetëm 90 minuta lojë. I vetmi moment jo i mirë për Djokovic ishte në setin e parë kur humbi me shërbimin e tij në rezultatin 4-3 në favorin e tij. Megjithatë, 29-vjeçari e kaloi këtë moment për të mbyllur këtë set 6-4, ndërkohë që dominoi dy të tjerët duke i fituar 6-1 dhe 6-1.
Me po kaq lehtësi fitoi edhe Rafael Nadal në ndeshjen e tij hapëse të turneut parizien. Spanjolli, 9 herë fitues i Roland Garros, mposhti Sem Groth me rezultatuin e pastër 3-0. Ishte një ndeshje që nuk pati histori, me Nadal që i fitoi të tre setet me të njëjtin rezultat: 6-1. Për 30-vjeçarin kjo ishte fitorja e tij e 71 në Roland Garros, që përbën edhe një rekord për këtë aktivitet.
Ai që vuajti në raundin e parë ishte Andy Murray. Tenisti britanik e luajti ndeshjen e tij me Stepanek në 2 ditë, pasi ajo u ndërpre për shkak të errësirës. Stepanek fitoi 2 setet e parë 6-3 dhe 6-3, por Murray përmbysi gjithçka, duke fituar 3 setet e tjerë 6-0, 6-3 dhe 7-5.
Për femra, Serena Williams nuk hasi në asnjë rezistencë nga kundërshtarja e saj Magdalena Ribarikova. Tenistja amerikane e fitoi këtë ndeshje me sllovaken në 2 sete 6-2 dhe 6-0, në vetëm 42 minuta lojë, duke shënuar fitoren e saj të 55 në Roland Garros dhe e 292 në total në turnetë Grand Slam.
Feston edhe motra e Serenës, Venus Williams, e cila shënoi pjesëmarrjen e saj të 19 në Roland Garros. Venus u kualifikua në raundin e dytë, pasi mposhti estonezen Kontaveit në dy sete 7-6 dhe 7-6.
Top Channel