Kryeministri Edi Rama siguroi se, brenda qershorit nuk do të ketë më faturim aforfe të energjisë për konsumatorët familjarë.
“Brenda qershorit t’u japim shqiptarëve një lajm që e kanë pritur 25 vite: do të paguajnë atë që konsumojnë”, tha Rama.
Në përurimin e Qendrës së re “Dispeçer” të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Rama tha se me gjithë suksesin e arritur, ai vet ishte i pakënaqur me reformën e energjisë deri më tani, pasi pritshmëritë janë shumëe më të mëdha.
“Duam që të shkojmë më tutje, drejt uljes së mëtejshme të çmimit, drejt përmbushjes së zotimit për TVSH-në e energjisë së konsumatorëve familjarë, por të gjithë duhet ta kuptojmë se, nëse ka një njeri që është i dëshiruar më shumë se kushdo tjetër që këto gjëra të bëhen menjëherë, dhe të ndodhin sa hap e mbyll sytë, ky jam unë. Por kjo nuk është e mundur. Kush thotë të kundërtën bën shaka”, deklaroi më tej Rama.
Qendra e re “Dispeçer” e OST-së është financuar nga qeveria italiane me rreth 23 milionë euro. Rreth 7 milionë kushton ndërtesa dhe 16 milionë Sistemi i Operimit dhe Kontrollit.
*** Ndërsa administratori i OST-së, Engjëll Zeqo theksoi se “qeveria ka treguar vëmendje të veçantë për sektorin e energjisë”. “Kjo është Qendra Dispeçer ndër më modernet në Europë. Realizimi i këtij projekti ka qenë i rëndësishëm për sistemin tonë”, deklaroi Zeqo. Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë, u shpreh: “Kjo është një nga veprat më të rëndësishme energjetike. Shqipëria është e integruar tashmë në rrjetin energjetik europian dhe investitorë të mëdhenj po afrohen falë reformave të mëdha”.
Top Channel