PD: Të ngremë zërin kundër përgjimit të paligjshëm

25/05/2016 00:00

Deputeti i Partisë Demokratike, Luciano Boçi deklaroi se “përgjimi i paligjshëm që ka bërë Saimir Tahiri është prova më e fortë se shteti dhe ligji kanë rënë, se shteti dhe ligji janë zëvendësuar me një organizëm mafioz e me kodin e tyre të veprimit”.

“Kjo shkelje brutale e ligjit, e sigurisë kombëtare, e të drejtave themelore të njeriut tregon ndarjen e thellë të dy botëve në vendin tonë. Të gjithë e kemi parë se si policia ndalon dhe përzë me dhunë nënën nga Shkodra që shet duhanin që ajo vetë ka mbjellë, sepse e konsideron informalitet, se si përfundoi në burg berberi që s’kishte kupon, apo si përndiqen e gjobiten tregtarët ambulantë, ndërkohë që Saimir Tahiri me lejen dhe dijeninë e plotë të Edi Ramës, kalon në doganë një pajisje përgjimi pa e regjistruar, pa e deklaruar, e përdor atë pajisje, përgjon kë dëshiron. E gjitha kjo, jo vetëm pa autorizimin e Prokurorit të Përgjithshëm, por kur skandali zbulohet, ai nuk pranon hetimin, e pengon atë dhe nuk dorëzon përgjuesin e paligjshëm. A mund të ketë informalitet më të madh se sa ky, që kryhet nga ministri i Brendshëm, nga kryeministri”, tha Boçi në një deklaratë për mediat.

“Kjo shkelje e rëndë e ligjit, në fakt e kapërcen informalitetin, dhe hedh në erë bazat e një shteti, standardet më minimale. Qeveria, Edi Rama, Saimir Tahiri, ende nuk përgjigjen, ku gjendet sot pajisja, kush e solli, nga u fut, pse nuk u regjistrua, kush e përdori, kush u përgjua dhe pse? Ky është një shqetësim i madh publik, kulmi i paligjshmërisë, që ka autorë, ka përgjegjës, dhe prokuroria lypset me shpejtësi të bëjë drejtësi. Partia Demokratike nuk e konsideron përgjimin e paligjshëm të krerëve të institucioneve, të politikanëve, të opozitës, të përfaqësuesve të medias, si një çështje të sajën. Ky është një zhvillim tronditës që kërkon reagimin e qytetarëve, e shoqërisë civile, e universiteteve, të medias. Një klan mafioz në pushtet si ky i Ramës këtë dëshiron, heshtjen, mosreagimin. Por ky zullum nuk mund të kapërdihet. Të gjithë duhet të bashkohemi e të ngremë zërin, që ky antishtet të ndalohet, që dhunime të tilla të Kushtetutës, të Sigurisë Kombëtare, të Lirive dhe të Drejtave Themelore të Njeriut të mos ndodhin më“, shtoi deputeti demokrat.

Top Channel