Meta: Reforma në drejtësi, vonesa të pajustifikueshme

25/05/2016 00:00

Nga konventa e Lëvizjes Rinore për Integrim, kryetari i LSI, Ilir Meta ka bërë thirrjen e radhës për votimin e reformës në drejtësi, e cila sipas tij është bërë subjekt i vonesave të pajustifikueshme.

“Kemi vonesa të pajustifikueshme. Politika duhet të bashkohet për reformën në drejtësi njësoj siç bashkohen ultrasit e Tiranës me ata të Partizanit kur luan kombëtarja”, ka deklaruar Meta.

Një tjetër reformë ku kryetari i Kuvendit e ka vënë theksin gjatë këtij eventi ka qenë ajo në arsim, e cila duhet të ketë një qëllim të caktuar. “Reforma në arsim duhet t’i shërbejë punësimit dhe integrimit”, ka thënë Meta.

Kreu i LSI ka shprehur bindjen se në këtë drejtim, Lëvizja Rinore për Integrim do të japë një kontribut të veçantë për një shoqëri më pozitive.

“Të ndërtojmë një Shqipëri pa egoizëm dhe meskinitet, që sot janë kthyer në një sëmundje. Për një të ardhme më të mirë kërkohet një bashkim më i fortë i rinisë”, ka thënë Meta.

Ai ka shtuar se, në vëmendjen strukturave të LSI-së është edhe mbështetja për të rinjtë me të ardhura më të pakta. 

Top Channel