“Drejtësi pa vonesë”, në Krujë reduktohen seancat gjyqësore. Jo në Shkodër

25/05/2016 00:00

Zbatimi i projektit “Drejtësi pa vonesë” nga OSBE dhe USAID ka arritur të ulë ndjeshëm numrin e seancave gjyqësore në Gjykatën e Krujës. Kjo gjykatë është marrë si shembull nga shefi i prezencës së OSBE-së në Tiranë.

“Ata që kërkuan drejtësi të shpejtë përmes disa masave konkrete për reduktimin e vonesave, arritën të ulin numrin mesatar të seancave gjyqësore në çështjet civile, nga 14 në 4.6 seanca për gjyq. Gjykatat i bënë këto përmirësime pa ndryshime në legjislacionin procedurial”, tha ambasadori Florian Rauning, kryetar i prezencës së OSBE-së.

Ministri Manjani mori Gjykatën e Shkodrës si një shembull që nuk duhet ndjekur. Sipas tij, vonesat në shqyrtimin e çështjeve lidhen me korrupsionin.

“Më vjen keq ta them, por në Gjykatën e Shkodrës janë konstatuar raste të ngjashme që nuk janë trajtuar njësoj. E sigurisht që besueshmëria bie. Për të mos thënë që ka shumë njerëz të tjerë që besojnë se vendimet për të drejtën e tyre merren duke shkëmbyer marrëdhënie me natyrën, me florën dhe faunën të Velipojës apo Shirokës”, tha ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.

Sipas një raporti, në Shqipëri seancat gjyqësore zgjasin 280 ditë dhe gjysma e tyre janë jo pozitive, që do të thotë se nuk ka argumente, prova e asgjë të re.

“Reforma në Drejtësi është tashmë në proces në Kuvend. Prezenca e OSBE-së po merr pjesë dhe po e mbështet plotësisht këtë proces. Megjithatë, reforma mund të arrijë objektivin e vet të drejtësisë për të gjithë, vetëm nëse zbatohet në çdo gjykatë të Shqipërisë”, tha më tej Florian Rauning.

Top Channel