
Lulzim Basha nuk ka qenë kurrë më i qartë në përgjigjet publike për amerikanët se sa pas mbledhjes së grupit parlamentar, që zyrtarizoi daljen e Partisë Demokratike me një draft të ri për reformën në drejtësi.
“Kurrsesi nuk mund t’i bëhet presion opozitës me hipokrizi të tilla se ka kohë apo nuk ka kohë. Prej ditës sonë të parë kemi thënë ‘po’ për reformën në drejtësi! Jo kapjes politike! Kemi propozimet tona bazuar mbi standardin europian. Nëse ka vullnet, të ulemi të negociojmë e të ecim përpara. Padyshim që kjo kërkon kohë dhe jo presion dhe as hipokrizi”, deklaroi kreu i PD-së.
Lulzim Basha ishte po kaq i qartë, kur nuk pranoi argumentin kohë, një argument që ambasadorët e lidhin atë me mundësinë e hapjes së negociatave.
“Nëse ka një urgjencë në Shqipëri, është garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ta harrojë kushdo që profeson ndryshe, se BE do t’i hapë dyert e negociatave një Shqipërie që nuk garanton zgjedhje të lira e të ndërshme dhe koha për të krijuar së bashku zgjedhje të lira e të ndershme po mbaron. Kjo është koha që po mbaron”, shton Basha.
Për reformën në drejtësi demokratët pranojnë vetëm një projekt që nuk kap politikisht sistemin dhe ky, sipas Lulzim Bashës, nuk është drafti zyrtar.
“Thënë më shkoqur, Partia Demokratike nuk ka pranuar dhe nuk do të pranojë kurrë institucionet e drejtësisë që lënë shtegun e hapur për një drejtësi alla-Shullaz dhe alla-Kokëdhimë. Me fjalë të tjera, ku Kryeministri aktual apo cilido Kryeministër në të nesërmen të fusë duart dhe të bëjë çorbën sipas qejfit të tij”, deklaron Basha.
Në këtë qëndrim Partia Demokratike duhet të llogarisë vetëm votat e saj. Lëvizja Socialiste për Integrim, që tre muaj më parë kishte një draft të vetin në Venecia, tani ka konsoliduar qëndrimin pro draftit zyrtar.
“Kemi vonesa të pajustifikueshme. Politika duhet të bashkohet për reformën në drejtësi njësoj siç bashkohen ultrasit e Tiranës me ata të Partizanit kur luan kombëtarja”, ka deklaruar Meta.
Top Channel