Bashkia e Tiranës shpalli 4 fituesit e konkursit për skulpturat dekorative që vendosen në kryeqytet. Një prej fituesve është Eljan Tanini, i njohur për protestat e shoqërisë civile kundër projektit të bashkisë për këndin e lojërave në parkun e Liqenit.

“Kjo punë është paraqitur më përpara nën drejtuesit e shkuar të Bashkisë, por u dëgjua shumë pak. Titullohet ‘Ëndrra fëmijërie’ dhe është menduar që të vishet herë pas here me një material të jashtëm, që mbi të gjitha ka shkrime nga tregimet e librat e fëmijëve të para viteve ’90”, tha Elian Tanini, autor i projektit “Raketa”.

“Raketa” është ideja e Taninit, e cila përfaqëson imitimin e një avioni prej letre me përmasa reale të një avioni “Mig” dhe që do të vendoset në ish-fushën e Aviacionit në Tiranë.

“Është më e rëndësishme që të inkurajojmë ata që nuk ishin te këto katër përzgjedhje, edhe për t’i garantuar që disa zgjedhje janë komplet personale. Nuk do të doja kurrë që dikush që nuk ishte në këto 4 projekte të përzgjedhura të dorëzohej në ëndrrën e vet për të pasur një instalacion publik”, tha Erjon Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë.

Sigurisht lajmi pas raketës prej letre të protestuesit te parku ishte pikëpyetja nëse bashkia është treguar kaq objektive, apo Eliani ka reflektuar për protestën e parkut. Gjithsesi, lajmi i mirë është që, edhe nëse Tirana ka humbur një protestues, ajo ka fituar një artist.

Top Channel