Zyrtarët e taksave “vizitojnë” selinë e Google

24/05/2016 00:00

Zyrtarë të financave franceze kryen një operacion në zyrtar e kolosit amerikan Google në Paris si pjesë e një hetimi për evazion fiskal. Mediat franceze thanë se rreth 100 zyrtarë të taksave u shfaqën në zyrat e Google në Paris sapo nisi dita e punës.

Policia franceze gjithashtu e konfirmoi operacionin, ndërsa Google nuk ka komentuar ende. Kompania amerikane akuzohet se i detyrohet shtetit francez 1.6 miliardë euro taksa të papaguara.

Së fundmi, marrëveshjet e kompanive ndërkombëtare për taksat janë vënë në qendër të vëmendjes. Disa prej tyre janë akuzuar se përdorin metoda ligjore për të minimizuar faturën fiskale. Nuk dihet ende me siguri si është situata në Francë, por në Mbretërinë e Bashkuar, Google paguan taksë në Irlandë edhe kur bizneset kanë të bëjnë me Anglinë.

Në janar, Google bëri një marrëveshje me autoritetet fiskale britanike që të paguajë një shumë prej 130 milionë paundësh taksa shtesë që prej vitit 2005, por ky pakt u kritikua ashpër pasi shuma është tejet e vogël nëse krahasohet me bizneset e Google në ishullin britanik.

Autoritetet e konkurrencës në Europë, prej kohësh kanë nisur hetime për të parë nëse marrëveshjet e kompanive të mëdha me autoritetet e taksave në vende të ndryshme mund të cilësohet si ndihmë e jashtëligjshme nga shteti.

Pas skandalit të “Dokumenteve të Panamasë”, BE zbuloi plane që detyrojnë kompanitë e mëdha të tregojnë sa taksa paguajnë në secilin vend të Unionit dhe aktivitetet e kryera në parajsa fiskale.

Top Channel