Meta, takime me homologët evropianë gjatë Konferencës së Kryeparlamentarëve të BE-së

24/05/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta zhvilloi disa takime të veçanta me homologët e tij evropianë gjatë Konferencës së Kryeparlamentarëve të vendeve të BE-së në Luksemburg.

Në kuadër të Konferencës së Kryeparlamentarëve të vendeve të BE-së që po zhvillohet në Luksemburg, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta zhvilloi disa takime të veçanta me homologët e tij evropianë. Me Presidentin e Senatit të Francës, Gerard Larcher, Meta bisedoi mbi ecurinë e procesit të integrimit evropian të vendit tonë, ku vuri në dukje se përpjekjet janë përqendruar në miratimin me sukses e pa vonesa të ndryshimeve kushtetuese për reformimin e sistemit të drejtësisë, reformë që është kyçe për çdo reformë tjetër madhore në kuadër të procesit të integrimit.

Meta u takua gjithashtu edhe me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Luksemburgut, Mars di Bartolomeo. Pas takimit me tw dha një prononcim për mediat, ku vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve si edhe progresin që ka bërë Shqipëria në procesin e integrimit europian. 

Më tej, Meta u takua me Kryetaren e Senatit të Vendeve të Ulëta, Ankie Broekers-Knol dhe me Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve të Vendeve të Ulëta, Khadija Arib me të cilat vlerësuan bashkëpunimin mes Holandës dhe Shqipërisë, si tepër të rëndësishëm për avancimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.

Meta u takua edhe me Kryetarin e Parlamentit të Portugalisë, Eduardo Ferro Rodrigues, Kryetarin e Parlamentit të Suedisë, Urban Ahlin, Kryetaren e Parlamentit të Danimarkës, Pia Kjaersgaard, Kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Francës, Claude Bartolone, Presidentin e Bundestagut Gjerman Norbert Lammert, Kryetaren e Dhomës së Deputetëve të Italisë, Laura Boldrini, Kryetarin e Parlamentit të Maltës, Angelo Farrugia, Kryetarin e Sejmit të Polonisë, Marek Kuchcinksni, Kryetaren e Parlamentit të Zvicrës, Christa Markwalder dhe me Kryetarin e Kongresit të Deputetëve të Spanjës, Patxi Lopez Alvarez.

Gjatë të gjitha takimeve me homologët e tij, Meta diskutoi mbi intensifikimin e bashkëpunimit ndërparlamentar, ecurinë e reformave në Shqipëri, mbi forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe mbi situatën në rajon.

Top Channel