Kosovë, aksion për pastrimin e vendgrumbullimeve ilegale të mbeturinave

24/05/2016 00:00

Një aksion i titulluar “Ta pastrojmë Kosovën” është organizuar në 30 komuna të Kosovës, ku qytetarët kanë larguar në mënyrë vullnetare pikat ilegale të grumbullimit të mbeturinave.

Kësaj nisme i janë përgjigjur edhe përfaqësues të institucioneve qendrore, lokale, ndërkombëtare; shoqëria civile, pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, e të tjerë.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, pas largimit të një pike ilegale të grumbullimit të mbeturinave bëri thirrje që mbetjet të hidhen në vendet e duhura, pasi po cënojnë shëndetin e fëmijëve dhe shëndetin publik në përgjithësi.

Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, i cili iu bashkua aksionit, tha se nevojitet që mësimdhënësit t’i mësojnë fëmijët për mbrojtjen e ambientit dhe riciklimin e mbetjeve.

Ndërsa kryeparlamentari  Kadri Veseli, i shoqëruar nga rinia e Partisë Demokratike të Kosovës, u ka bërë thirrje institucioneve përkatëse, që të marrin masa ndëshkuese ndaj njerëzve të papërgjegjshëm ndaj ambientit.

Në 200 vendndodhje të ndryshme në të gjithë Kosovën, këtij aksioni i janë bashkuar rreth 60 mijë qytetarë.

Top Channel