Transporti urban në Tiranë, ndryshon harta e linjave

23/05/2016 00:00

Harta e linjave të transportit urban të qytetit të Tiranës do të ndryshojë si pasojë e ndarjes së re territoriale.

Linjat që do të pësojnë ndryshime janë ato që kanë fluksin më të madh të frekuentimit, ndërsa detajet i bëri me dije gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak kryetari Erjon Veliaj.

“Kjo linjë do të zgjatet deri në Selitë nga njëra anë dhe nga ana tjetër do të shtrihet deri në zonën e Alliasit. Nga TEG-u, te Sauku i Vjetër, Kopshti Zoologjik, ish-Stacioni i Trenit, është një linjë e re. Linja e Kasharit do të jetë një linjë unazore këtë herë. Bashkimi i dy linjave që ndërpriteshin në qendër, ajo e Autotraktorëve dhe ajo e Institutit. Linja e 6 është një zgjerim i një linje aktuale të Laprakës. Kjo linjë do të nisë pranë Muzeut Kombëtar, do të vazhdojë në të gjithë Laprakën. Linja e Tufinës, për të cilën në mënyrë konstante kemi pasur shumë kërkesa, e cila do të zgjatet më shumë deri në fillimin e Rrugës së Arbrit”, tha Veliaj.

Ndërkohë, një lehtësi është parashikuar për bizneset e vogla të sapo krijuara.

“Përjashtimin nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore, të çdo biznesi të sapo krijuar deri në 3 muaj pas regjistrimit”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.

Siç bëri me dije kreu i bashkisë, Veliaj, në kryeqytet do të krijohen 8 hapësira të tjera publike parkimi, në sheshe të cilat deri më sot kanë qenë të zëna nga subjekte private, por që do të kthehen nën administrimin e këtij institucioni.

Top Channel