Tahiri, me kadetët e Akademisë: Policia, e sulmuar nga ata që nuk duan drejtësi

23/05/2016 00:00

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka qenë paraditen e kësaj të hëne në Akademinë e Policisë, ku 5 mijë të rinj e të reja aplikuan për vetëm 300 të drejta studimi.

Në fjalën e tij para kadetëve, ministri Tahiri ka deklaruar se, në këtë akademi gjenden pedagogët dhe ekspertët më të mirë të policisë, të ndihmuar nga partnerët ndërkombëtarë. Nga ana tjetër, Tahiri ka paralajmëruar të rinjtë se kanë një rrugë të vështirë përpara.

“Rrugë e vështirë për të mësuar e kaluar me sukses kursin. E ajo që vjen pas shkollës do jetë dhe më e vështirë. Ne besojmë se krimi luftohet me dije dhe mendje, përpara se me forcë e muskuj. Beteja më e madhe nuk është me injorancën, paaftësinë, korrupsionin apo rezistencën që bën paligjshmëria e kriminaliteti. Por me të shkuarën e cila të gjitha këto mundohet t’i nxjerrë para rruge, për të penguar reformimin e Policisë së Shtetit dhe secilin prej jush që t’i shërbejë siç duhet qytetarëve”, ka deklaruar Tahiri.

Gjithashtu, ministri i ka paralajmëruar të rinjtë se me punën që kanë zgjedhur do të bëhen edhe pre e sulmeve që, siç tha ai, nuk vijnë vetëm nga bota e krimit.

“Cilido prej jush që do bëjë siç duhet punën për qytetarët, duhet ta dijë që sot që do jetë i sulmuar. Duhet ta dijë që sot që do jetë  shënjestra e të gjithë atyre që nuk duan ligjin, e të gjithë atyre që nuk duan drejtësinë”, ka thënë Tahiri.

Ai është shprehur se, “pasuria më e vyer që kemi sot është përpjekja për të fituar besimin e të gjithë njerëzve, për ta bërë Shqipërinë më të sigurt dhe më të drejtë”.

Top Channel