Ngrin reforma në drejtësi, s’ka dakordësi për të gjitha pikat

23/05/2016 00:00

Pavarësisht thirrjeve të diplomatëve të huaj, reforma në drejtësi nuk po ecen siç kërkohet. Edhe këtë të hënë Komisioni Parlamentar ka diskutuar dhe ka ecur përpara në mungesë të marrëveshjes për disa pika, që duket se janë shtuar që kur Partia Demokratike bëri publik një draft të saj për reformën.

Partia Demokratike po diskuton draftin e vet në grupin parlamentar dhe ende nuk e kanë paraqitur atë në Komisionin e Posaçëm. Ajo që dihet është se opozita këmbëngul në thjeshtimin e arkitekturës së sistemit duke hequr katër prej institucioneve të prozuara në draftin aktual.

Përfaqësuesi demokrat në Komision, Oerd Bylykbashi, i pyetur nga Top Channel mbi deklaratën e zv.ambasadorit amerikan në Tiranë se nuk ka më kohë për ndryshime të mëdha të draftit, kërkoi edhe prej ndërkombëtarëve që të mos nguten.

“Është humbur shumë kohë me këto nxitimet dhe ngulmimet. Durimi dhe arsyeja do të na bëjnë të ecim me shpejtësi dhe siguri përpara”, u shpreh ai.

Bylykbashi thotë se propozimet e opozitës eleminojnë kapjen e sistemit dhe se ka terren për zgjidhje të përbashkët për to.

“Pala tjetër qëndron në atë që është sistem kapjeje deri më sot. Ne kontribuojmë që ky sistem kapje të çmontohet. Mbetet hapësirë për të biseduar një zgjidhje të përbashkët.

Megjithatë, maxhoranca ka një tjetër kendvështrim. Sipas Fatmir Xhafajt vetëm një çështje është politike dhe këtë e ka vendosur edhe Venecia.

“Në vlerësimin tonë dhe ekspertizës ndërkombëtare, Venecia ka lënë vetëm një çështje poklitike, që është shumica e cilësuar, si do të zgjidhen anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe institucionet e tjera. Të tjerat Venecia i ka konsideruar teknike. Venecia e ka bërë të qartë që ka vetëm një çështje politike. Të tjerat janë teknike”, thotë Xhafaj.

Top Channel