Kryesia e re e Akademisë së Shkencave, PD: Farsë zgjedhore

22/05/2016 00:00

Partia Demokratike ka reaguar këtë të diel me anë të një deklarate në lidhje me zgjedhjen e Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

PD thotë në deklaratë se ajo që po ndodh me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë është e pafalshme dhe e papranueshme. Kjo parti thotë se po synohet uzurpimi i çdo hapësire për vendim-marrje demokratike.

“Prej disa kohësh ndjekim me shqetësim atë që shumëkush e ka quajtur “farsë zgjedhore” për zgjedhjen e kryesisë së komunitetit më të rëndësishëm shkencor në vend. Kemi të bëjmë me as më shumë dhe as më pak me një tentativë për uzurpimin e çdo hapësire për vendim-marrje demokratike në institucionin që duhet të rrezatonte dije dhe demokraci për të gjithë Shqipërinë”, thotë PD.

Partia më e madhe opozitare në vend thotë se po përdoren metoda staliniste për t’i imponuar komunitetit shkencor të Shqipërisë, vendosjen e vasalëve të pushtetit në Olimpin e shkencave shqiptare.

“Përdorimi i metodave staliniste të votimit, trajtimi i personaliteteve më të larta të shkencës shqiptare sikur të jenë një tufëz bagëtish, është një atentat i tmerrshëm që i bëhet dinjitetit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Jo vetëm nuk janë respektuar kriteret statutore të njoftimit dhe përfshirjes së komunitetit shkencor, jo vetëm nuk janë njoftuar universitetet dhe personalitetet me kontribute në fushën e dijes. Ajo që ka ndodhur është kolektivizimi i votës, është kërkesa për votim me zarfe dhe me postë për kryesinë e Akademisë së Shkencave, ajo që ka ndodhur është shkelja e kuorumit dhe e të drejtës së çdo pjesëtari të komunitetit shkencor për të qenë i informuar, prezent dhe pjesëmarrës në përcaktimin e fateve të drejtimit të shkencës shqiptare”, shkruhet në deklaratën e PD-së.

PD kërkon nga Kontrolli i Lartë i Shtetit të nisë procedurën për verifikimin e kritereve statutore për kryesimin e Akademisë së Shkencave.

“I bëjmë thirrje të gjithë komunitetit akademik, të gjithë mendimit intelektual dhe qytetar të mbështesë të gjithë zërat e lirë që kërkojnë të ruajnë lirinë dhe pavarësinë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Larg përdorimit të kësaj kauze për çfarëdolloj përfitimi politik, u bëj thirrje qytetarëve të lirë të këtij vendi të mos pranojnë përjetësimin e stalinizmit, diktaturës dhe klientelizmit në institucionin më të lartë shqiptar të shkencës”, përfundon deklarata e Partisë Demokratike.

Top Channel