Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Sazeve është rikthyer në Korçë në edicionin e tij të 9.

Për dy mbrëmje radhazi, grupe të sazeve nga gjithë vendi, por edhe të ftuar nga Kosova e Maqedonia do të sjellin repertorin e pasur folklorik si një vlerë që duhet ruajtur.

Aktiviteti i organizuar nga Ministria e Kulturës me mbështetjen e Bashkisë Korçë dhe Qendrës së Artit, dëshmon rrënjët e ekzistencës së identitetit tonë kulturor. Sipas organizatorëve aktiviteti rikthehet pas 5 vitesh ndërprerje dhe është zgjedhur pikërisht qyteti i Korçës për shkak të lidhjes së ngushtë me këtë lloj muzike.

“Megjithë dëshirën e madhe Ministria e Kulturës ia ktheu sërish Korçës, sepse Korça është qyteti i traditës, është qytet artdashës dhe ne duam të kthejmë në origjinën e tij gjithë folklorin dhe gjithë traditën kombëtare”, thotë Rezearta Kokonozi, drejtore e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike.

Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Sazeve , vjen në qytetin e Korçës si një event i rëndësishëm për Sazet Popullore që janë traditë e qytetit dhe rrethinave. Nata e dytë e këtij festivali do të sjellë në sallën e Katedrales së qytetit traditën 150-vjeçare të këtij lloji muzikor të ruajtur ndër vite.

Top Channel