Skandali i Shkodrës, Meta pret Totozanin: Gati për çdo nismë ligjore

20/05/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot në një takim Avokatin e Popullit, Igli Totozani, me të cilin diskutoi mbi rastin e dhunimit të fëmijëve të jetimores së Shkodrës.

Gjatë bashkëbisedimit, Meta shprehu shqetësimin e thellë mbi ngjarjen e rëndë dhe tha se nxit një hetim të shpejtë dhe profesional për të, që do të vinte përpara ligjit të gjithë shkelësit e tij.

Meta nënvizoi gjithashtu nevojën për gjetjen e zgjidhjeve të nevojshme dhe marrjen e masave të duhura për përmirësimin e mekanizmave ligjorë, mbrojtës dhe parandalues në ndihmë të fëmijëve jetimë në këto qendra. Në këtë drejtim, ai shprehu gatishmërinë për të marrë çdo iniciativë ligjore.

Nga ana tjetër, Totozani informoi kreun e Kuvendit për mënyrën e trajtimit të këtij rasti dhe theksoi se, pas shqyrtimit të fakteve të gjetura, rruga e vetme mbetej rekomandimi për fillimin e hetimeve nga ana e Prokurorisë dhe ndëshkimin e fajtorëve.

Po sot, për të njëjtën çështje, Meta priti në një takim Ministrin e Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi.

Top Channel