Reforma në drejtësi, PS-LSI: Hapësirë PD-së. Basha: Jo reformë për Shullazin

20/05/2016 00:00

Edi Rama dhe Ilir Meta kishin disa javë pa u takuar për shkak të axhendave të ndryshme, por kjo nuk ka ndikuar tek qëndrimi i unifikuar i mazhorancës për reformën në drejtësi. Këtu përfshihet edhe diskutimi i amendameteve konkrete të opozitës.

“Çdo propozim i opozitës është pritur me luajalitet të madh nga mazhoranca. Të gjitha opsionet janë në tryezë, duhet t’i diskutojmë”, deklaroi kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi.

Lëvizja Socialiste për Integrim ishte më konkrete kur tregoi jo pa kritika ndaj qëndrimit opozitar rrugën që duhet ndjekur për të arritur në një variant final.

“Të dëgjojmë pa paragjykime ç’thotë opozita dhe të reflektojmë mbi ato propozime që ekspertët ndërkombëtarë do t’i gjejnë me vend dhe pas kësaj të mos humbasim më kohë, as me takticizëm politik të opozitës e as me qëndrime të tjera”, deklaroi kreu i grupit të LSI, Petrit Vasili.

Palët testojnë dialogun; Basha, skeptik por i hapur. Mbështetet nga Majko

Por qëndrimet për nevojën e dialogut nuk janë reflektuar në komisionin e reformës. Propozimi thelbësor i demokratëve për heqjen e këshillit të emërimeve është një pikë mes dy të tjerave, për të cilën palët nuk kanë rënë dakord.

“Mazhoranca i qëndron sistemit kompleks që garanton kapjen dhe një presion afatgjatë ndaj sistemit të drejtësisë”, deklaroi deputeti i PD, Oerd Bylykbashi.

“E gjitha kjo reformë, që ka në bashkëpronësi BE dhe SHBA, është jashtë çdo imagjinate që të bëhet në funksion të interesave të PS”, deklaroi deputeti socialist Pandeli Majko.

Megjithë qëndrimet e kundërta për draftin e reformës, kjo nuk përjashton një vullnet të opozitës për të dialoguar për një draft final, pavarësisht se kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk beson tek vullneti i qeverisë për të bërë reformën dhe për të zbatuar ligjet.

“Ky qëndrim është për një reformë që lufton korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar. PD ka bërë propozimet e saj dhe pret që përmes dialogut politik dhe ndihmën e ndërkombëtarëve t’i japim formë që reforma të përparojë dhe paketa kushtetuese t’i hapë rrugën pastaj miratimit të ligjeve”, deklaroi Basha më herët gjatë ditës.

Majko, që disa ditë më parë u takua kokë më kokë me Lulzim Bashën, u fokusua tek konsensusi. “Kryeministri dhe kryetari i PS ripërsëriti ftesën karshi opozitës që të ulemi në dialog për të diskutuar një çështje kaq të rëndësishme”, tha Majko.

Çfarë duhet që kjo të ndodhë, të paktën sipas Pandeli Majkos, që po shfaqet si një kanal komunikimi mes Ramës dhe Bashës?

“Kërkohet më shumë qartësi politike dhe një vendimmarrje e rëndësishme nga ana e opozitës. Unë shpresoj që në ditët në vazhdim të kemi vendime pozitive”, tha më tej Majko.

Top Channel