PD: Letra italiane thellon skandalin e përgjimit

20/05/2016 00:00

Në kendvështrimin e Partisë Demokratike, letra e dërguar nga autoritetet italiane për Prokurorinë e Përgjithshme, jo vetëm që nuk mbyll çështjen e përgjimeve, por e thellon akoma më shmë këtë skandal.

“Letra e ish-drejtuesit të policisë italiane konfirmon, pohon drejtpërdrejtë, se pajisja ka hyrë në Shqipëri ilegalisht, sepse një pajisje e tillë, gjurmimi e përgjimi, është ilegale kur futet pa u regjistruar në doganë dhe është ilegale kur përdoret pa u vënë në dijeni dhe pa dhënë miratimin e tij Prokurori i Përgjithshëm”, dekaroi Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani.

Mjafton vetëm kjo që të përforcojë bindjen e opozitës, se ashtu siç është future ilegalisht, edhe është përdorur nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, që sipas Ristanit, ua hedh fajin vartësve të tij.

“Pyesni policinë, thotë Tahiri. Pyesni doganat, thotë Tahiri. Kërkon të lajë duart ministri i Brendshëm, kur gjithkush e di se pajisja ka hyrë, është përdorur, me porosinë e tij dhe me dijeninë e Edi Ramës”, shtoi Ristani.

Demokratët thonë se një tjetër fakt që përforcon bindjen e tyre janë edhe deklaratat kontradiktore, sipas tyre, të kreut të Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe ish-drejtorit të policisë italiane.

“Shihni kushtet e flagrancës ku janë kapur Tahiri e shefi i tij i policisë. Të dy thanë në fillim se një paisje e tillë nuk ekziston. Më vonë Tahiri e pranoi se pajisja ekziston. Më pas Drejtori i Përgjitshëm i Policisë së Shtetit, Çako deklaroi në komisionin e sigurisë se pajisja nuk ekziston. Ndërkohë, ish drejtori i policisë italiane e hedh poshtë deklaratën e Çakos dhe thotë se pajisja ekziston, ka hyrë në Shqipëri dhe është përdorur”, tha Ristani.

Në fund, Ristani fton Prokurorinë që të hetojë deri në fund këtë ngjarje, që thotë se po pengohet të zbardhet nga ministri Tahiri dhe drejtori i policisë, Haki Çako.

Top Channel