Greva në Greqi, deri të hënën. Në dogana kalojnë vetëm këmbësorë

20/05/2016 00:00

Nëpunësit e doganave të të gjithë Greqisë kanë filluar prej mëngjesit të së premtes një grevë 24-orëshe, e cila do të pasohet – siç theksohet edhe në deklaratën e tyre për shtyp, – me një grevë tjetër 48-orëshe deri të hënën në mëngjes.

Zv.kryetari i Unionit të Nëpunësve të Doganave, Athanasios Kretsis ka pohuar në bisedën telefonike që ka pasur me Top Channel se, doganierët grekë kanë përshkallëzuar lëvizjet e tyre në shenjë proteste ndaj projektligjit që kërkon të aprovojë qeveria, për të krijuar një Autoritet të Pavarur për Sekretariatin e Përgjithshëm të të Ardhurave Publike, që do të përfshijë edhe doganat.

Ata kërkojnë anulimin e projektligjit për “Organizimin dhe funksionimin e pikave kufitare tokësore”, si dhe transferimin e mekanizmit të mbledhjes së taksave jashtë Ministrisë së Financave.

Greva ka shkaktuar problem në qarkullimin e shtetasve shqiptarë, apo emigrantëve që lëvizin në 4 pikat kufitare me Greqinë: Kapshtica, Kakavija, Qafë-Bota dhe Tre Urat. Deri tani, ata kalojnë vetëm si këmbësorë dhe agjencite e udhëtimit e kanë zgjidhur problemin duke çuar pasagjerët deri në doganë, e duke vënë në dispozicion në anën tjetër të kufirit një autobus tjetër të kompanisë.

Puna është paralizuar edhe në doganat e tjera të Greqisë, me Bullgarinë dhe Turqinë, ku nuk kryhet asnjë veprim për mjetet apo transportin e mallrave, si dhe në dhjetëra dogana në portet e vendit.

Mundësia e vetme që greva të anulohet, sipas sindikalistëve është të bëhen ndryshime në dispozitat ligjore të këtij projektligji, në favor të kërkesave të Unionit të Nëpunësve të Doganave, gjatë diskutimit që do të kenë fillimisht komisionet parlamentare dhe më pas deputetët, në punimet e Parlamentit në orët në vazhdim.

Top Channel