Knut Fleckenstein nuk është me mision zyrtar për të negociuar për reformën në drejtësi, por reporteri për Shqipërinë i ka takuar të gjithë drejtuesit më të lartë politikë në Tiranë. Prej tyre pret që reforma të miratohet brenda qershorit.
“Zoti Rama është i qartë prej disa kohësh. Që pas rekomandimit final të Komisionit të Venecias, ai do që të ecim përpara. Dhe kam të njëjtën përshtypje nga zoti Basha, por sigurisht, janë disa pika ku ata nuk bien dakord dhe për të cilat duhet gjetur kompromis. Unë u kërkova të dy liderëve të punojnë së bashku, të gjejnë një mënyrë për të arritur konkluzione të përbashkëta”, u shpreh Fleckenstein.
A duhet të kushtëzohet reforma në drejtësi me reformën zgjedhore, siç kërkoi opozita pak ditë më parë?
“Jam dakord se të dyja janë shumë të rëndësishme, por nuk e përkrah idenë e lidhjes së tyre. Kërkesa ime për opozitën është: Na besoni pak! Ne do t’ju mbështesim për reformën zgjedhore, por mos lidhni shumë gjëra tani bashkë, se në fund nuk do të kemi asgjë në kohën e duhur!”, vijoi ai.
Kur ishte në Shkodër, Knut Fleckenstein foli për njerëz që pengojnë reformën në drejtësi. Po kush janë këta?
“Ata janë pak njerëz që po përfitojnë nga ky sistem, që bëhen gjithnjë e më të pasur sepse dinë si të sillen me këtë sistem, dinë kë të paguajnë”, deklaroi raportuesi për Shqipërinë.
TCH: Këta janë politikanë?
Knut Fleckenstein: Nuk e di, mendoj se janë biznesmenë, le t’i quajmë kështu. Unë shpresoj dhe e ndjej, se politikanët, në fund, do të ndjekin 90 e ca përqindshin dhe jo 1 përqindshin që bëhet gjithnjë e më i pasur.
Të njëjtin argument ai përdori edhe kur u përgjigj pyetjes se sa i sigurt është nga 1 në 10 se reforma do të miratohet brenda qershorit.
Knut Fleckenstein: Unë di se më shumë se 90 për qind e shqiptarëve e duan këtë reformë dhe nuk mund ta imagjinoj se ka politikanë në vend që nuk duan të ndjekin një mazhorancë të tillë. Dhe mendoj se është 8 deri në 9.
TCH : Jo 10?
Knut Fleckenstein: Jam gjithmonë pak skpetik, por 8-9 është një rezultat shumë i mirë.
Top Channel