Plot 6 futbollistë shqiptarë janë përfshirë në listën provizore të kombëtares zvicerane për Europianin 2016, një seleksion mjaft i fortë nga i cili do të dalë edhe lista finale pët turneun e kësaj vere.
Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Admir Mehmedi, Valon Behrami, Blerim Xhemaili dhe surpriza më e madhe, Shani Tarashaj, janë mes emrave të preferuar, me këtë të fundit që u përfol edhe për të luajtur me kombëtaren kuqezi.
Në një konferencë për shtyp, trajneri Vladimir Petkovic nënvizoi gjithashtu lënien jashtë të mesfushorit veteran të Leicester City, Gokhan Inler, një personalitet i madh sipas teknikut por që nuk do të përfshihet në Euro 2016.
Lista prej 28 futbollistësh do të reduktohet në 23 në bazë të rregullave të UEFA-s. Kombëtarja helvetike do të zhvillojë miqësore me Belgjikën dhe Moldavinë në shtëpi, para se të niset në Europian.
Mes emrave të preferuar të trajnerit Vladimir Petkovic, ka edhe një përjashtim që bie në sy për shqiptarët. Mesfushori nga Struga, Pajtim Kasami që aktivizohet me Olimpiakos në Greqi, nuk ka arritur të bindë me cilësitë e tij dhe do ta shohë turneun nga ekrani i vogël.
Top Channel