
Deputetja e PD, Jozefina Topalli ka akuzuar kryeministrin se ka promovuar eksponentë të krimit të organizuar, duke përmendur këtu Mark Frrokun dhe Klement Balilin.
“Balilin e emëruam ne apo ju? Shukriun e emëruam ne apo ju”, është shprehur Topalli duke iu drejtuar kryeministrit. Ajo ka theksuar se, “reforma më e madhe në këtë vend është heqja e Edi Ramës”.
Balla: Akuzat, alibi kundër reformës
Nënkryetari i grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla u është përgjigjur në fjalën e tij akuzave të demokratëve. Duke iu drejtuar deputetes Jozefina Topalli, Balla ka thënë: “Mark Frroku ishte sponsor i fushatës së PD në vitin 2009”.
Balla e ka akuzuar Topallin dhe kolegët e saj demokratë se nuk e duan reformën në drejtësi. “Si ka mundësi që ish-nënkryetarja e PD foli për Shullazin, por nuk foli për reformën në drejtësi? Pse nuk flet ti për reformën? Pse nuk flet shoku yt për të”, ka thënë Balla.
Ai ka theksuar se, një gjë duhet të jetë e qartë, “rruga për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE është reforma në drejtësi”.
“Reformë që mbetet sfidë e shumicës qeverisëse por edhe e shqiptarëve, 94 për qind e të cilëve duan reformën në drejtësi. Deputetët e opozitës mungojnë në thirrjet për të realizuar këtë reformë. Hajde ta votojmë sot reformën”, ka thënë Balla.
Blushi-Ramës: Thuaj të vërtetën për kryebashkiakun e Kavajës
Deputeti Ben Blushi, në seancën parlamentare të kësaj të enjteje, ka akuzuar sërish kryeministrin Rama për futjen e elementëve të inkriminuar në politikë.
Duke iu drejtuar ish-mikut të tij, Blushi ka lexuar edhe një mesazh që, siç tha ai, tregon se kryetari i Bashkisë së Kavajës, ndryshe prezantohet dhe ndryshe e prezantojnë.
“Nuk e kuptoj se si Roshi thotë se nuk më mbahet mend përse jam arrestuar në Gjermani. Më ka ardhur një mesazh. ‘O Blush, jam Elvis Roshi. Nuk kam bërë asnjë krim’. I drejtohem Ramës, si e ka emrin ky Ervin, siç thua ti? Apo Elvis, siç thotë ai?”, ka thënë Blushi, i cili ka vijuar me pyetjet e tij.
“Pse po ia nxin faqen këtij vendi? Ku e ke këtë aftësi për të grumbulluar kaq shumë të paaftë? Ku e gjen ky këtë guxim Roshi të më shkruajë mua? Është me ty”, ka thënë Blushi.
Dule dhe Paloka, akuza kryeministrit
Pas Blushit ka reaguar kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule, i cili e ka cilësuar kërcënimin e kolegut të tij si një veprim të papranueshëm, ndaj të cilit duhet të merren masa.
“Jemi dëshmitarë të një kërcënimi, të një krimi. Çfarë mesazhi i japim elektoralit? Kryetar, ju duhet të merrni masa. Ndoshta kryeministri nuk e sheh si përgjegjësinë e tij, por ne kemi detyrën tonë”, ka deklaruar Dule.
Sipas tij, në një situatë të tillë ligjet dhe reformat nuk kanë kuptim. “Nëse kemi arritur në pikën kur një koleg kërcënohet dhe nuk e vrasim mendjen, të tjerat nuk kanë kuptim. Ç’dekriminalizim do të kemi? Ç’reformë në drejtësi do të kemi”, është shprehur Dule.
Reagimeve u është bashkuar edhe kreu i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, i cili i ka cilësuar si normale kërcënimet që mund t’u bëhen njerëzve kur kryeministër është Rama.
“Këtu, po të jesh kundërshtari i Edi Ramës kërcënohesh dhe të bëhen të gjitha të zezat dhe kryeministri qesh e ngërdheshet”, ka thënë Paloka.
Deputeti demokrat ka përsëritur akuzat e bëra më herët ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për fshehje të emrave të politikanëve të inkriminuar.
“KQZ nuk po publikon të dhënat pikërisht për kriminelët që mbron ky kryeministër. Situata ka arritur aty kur s’mban më dhe ju zoti kryetar nuk mund ta lejoni të kalojë kështu”, ka thënë Paloka duke iu drejtuar Ilir Metës.
Nga ana e tij, kryetari i Kuvendit ka bërë me dije se, do të ftojë për bisedë deputetin Blushi dhe më pas do të shqyrtojë masat që mund të merren.
Ndërsa deputetja e PD, Jozefina Topalli ka akuzuar kryeministrin se ka promovuar eksponentë të krimit të organizuar, përfshirë këtu Roshin dhe Mark Frrokun dhe ka theksuar se, “reforma më e madhe në këtë vend është heqja e Edi Ramës”.
Vokshi: Eskobari, Shkodra dhe Shukriu, skandale të qeverisë; reagon Klosi
Deputetja e PD, Albana Vokshi, duke marrë fjalën në seancën parlamentare, ka akuzuar qeverinë se është përpjekur të manipulojë rastin e “baronit të drogës”.
“Qeveria u kërkoi gazetave prestigjoze që ta përgënjeshtronin lajmin. Pastaj filloi loja e pasave, është i imi, është i joti, derisa iu dha kohë baronit të arratisej. Ku është sot Balili? Njësoj si në rastin e Arben Frrokut, sistemi TIMS nuk tregon asgjë. Madje, atij iu pastrua edhe dosja dhe u bë njeriu më i pastër”, ka thënë Vokshi.
Më pas, Vokshi ka prekur edhe rastin e djeshëm në Shkodër, ku u zbulua se vajza të mitura të jetimores ishin abuzuar seksualisht, duke iu drejtuar ministrit Klosi.
“Të gjitha punonjëset e jetimores e kishin kaluar sipas jush testin për pranim në administratë. A funksionojnë këto teste? Unë mendoj se jo”, ka thënë Vokshi, e cila më pas ka folur për rastin e Shukri Xhelilit, duke akuzuar direkt kryeministrin për emërimin e tij.
“Rama tha ‘votoni Shukriun, sepse është drejtimi i duhur për vajzat dhe gratë’. Shukriu ishte i përzgjedhuri i tij mes 46 emrave, por nuk rezultoi drejtimi i duhur”, ka thënë Vokshi.
Duke reaguar ndaj akuzave, ministri Blendi Klosi ka shprehur “shqetësim maksimal” për çdo ngjarje të ndodhur. Ai ka thënë se, për personat përgjegjës do të veprojë drejtësia, ndërsa ka theksuar se, “Bashkisë së Shkodrës i ishte kërkuar që të pushonte nga puna kujdestarët”.
“Është kollaj të vish dhe të bësh politikë me ngjarjet. Ne duhet të godasim me forcë fenomenin. Kemi patur zero tolerancë ndaj shkelësve të ligjit dhe reagimi ka qenë për të gjitha rastet”, ka thënë më tej Klosi.
Ndreu: Opozita, akuza me të dhëna të pakonfirmuara
Deputeti i Partisë Socialiste, Pjerin Ndreu, në seancën e sotme parlamentare ka kritikuar opozitën për akuza të rreme ndaj qeverisë, me qëllim ngritjen e alibive.
Duke komentuar ngjarjet e fundit të verifikuara në vend, kryesisht atë të pajisjes së përgjimeve, Ndreu ka deklaruar se informacionet e pakonfirmuara nuk mund të nxirren si të vërteta.
“Opozita përpiqet të ngarkojë opinionin publik me grupe kriminale e fantazma që vetëm ata i dinë. Të thuhet se kryeministri është kryetari i një bande është shumë e rëndë. Për të gjithë ata që kanë kulturën minimale të kontrollit të informacionit, gjëja e parë që vjen nuk mund të shitet si e vërtetë. Kjo nuk ka ndodhur as në kohën e Kanunit. Mjafton të thotë dikush diçka dhe bëhet alibi për të sulmuar mazhorancën”, ka deklaruar Ndreu.
Ai ka marrë si shembull drejtorin e SHISH, i cili raportoi dje në komisionin e sigurisë kombëtare për pajisjen e përgjimit.
“Ai tha se kemi një të dhënë të pakonfirmuar. Kur kemi një të dhënë të pakonfirmuar kemi shkas për të lëvizur, por jo për të akuzuar. Ai detyrohej me ligj t’ia bënte prezent informacionin kryeministrit, por nuk e bëri. Ia bëri presidentit të opozitës dhe opozita e përdori për të sulmuar. Kjo është papërgjegjshmëri, tallje me opinionin publik”, ka thënë Ndreu.
Bregu: Administrata publike në ditët më të zeza
Në seancën e sotme parlamentare, deputetja e Partisë Demokratike Majlinda Bregu ka prekur gjendjen në të cilën ndodhet sot administrata shqiptare, nisur nga rasti i kryetarit të Bashkisë së Peshkopisë, Shukhri Xhelili.
“Një nga ngjarjet më të shëmtuara të javës së kaluar ishte skandali seksual me kryetarin e Bashkisë së Peshkopisë. Çfarë po ndodh me administratën tonë? Çfarë ndodh me ata të rinj që duan të punësohen? Këtu duhet të ishte përqendruar vëmendja, çfarë ndodh me zbatimin e ligjit për administratën. A i rregullon dot marrëdhëniet e punës vetëm ligji?”, është shprehur Bregu.
Sipas saj, ky është problemi madhor që e rëndon dyfish situatën në Shqipëri, që është dhe vendi me lëvizjet më të mëdha të administratës në rajon.
“Vërtet kryeministri thotë se kemi administratën më të mirë në 25 vjet, edhe pse është ai i pari që nuk e beson atë që thotë. Anëtarët e administratës janë shkarkuar me kërcënime e shantazhe”, ka thënë Bregu.
Ajo ka kritikuar institucionet edhe për një nga çështjet e tjera që tërhoqi së fundmi vëmendjen e opinionit publik. “Nga ana tjetër, kur flitet për Eskobarin e Ballkanit, të gjitha institucionet lajnë duart duke thënë nuk është i imi”, ka shtuar Bregu.
Top Channel