Të miturit me taksi në Tiranë, i dërgoi mësuesja nga Cërriku pa dijeninë e prindërve

19/05/2016 00:00

Pesë nxënës të shkollës 9-vjeçare “7 Marsi” në Cërrik u dërguan me taksi në Tiranë nga mësuesja e tyre kujdestare të pashoqëruar nga prindërit. Duke pretenduar një rast dhune të ushtruar ndaj nxënësve të saj, nga një kolege, mësuesja Mjaftoni Ago i dërgoi nxënësit e saj në Tiranë në një televizion privat për të denoncuar dhunën.

Ata që u shtangën më tepër kur i panë në televizor kanë qenë prindërit. Në pritje të kthimit të fëmijëve, ata shprehën shqetësimet e tyre për udhëtimin.

“Jemi shqetësuar jashtë mase se nuk dinim gjë fare”, tha një prind. “Kam ardhur këtu për të marrë djalin tim. Jam vërtet e shqetësuar që kanë ikur pa na vënë në dijeni”, u shpreh një nënë.

Nxënësit, taksisti që i dërgoi në Tiranë dhe mësuesja u pyetën në polici për të paktën 6 orë. Pas një debati, prindërit ngritën edhe ata kallëzim mbi mësuesen dhe drejtoreshën e shkollës.

Mësuesja Mjaftoni Ago dha disa arsye për veprimin e kryer. Ajo tha se kishte debatuar ashpër me drejtoreshën se fëmijët ishin dhunuar dhe kjo e fundit nuk kishte marrë asnjë masë.

“Fëmijët më thanë mësuesja Bardhe na ka qëlluar, fëmijët po qanin dhe kjo ishte arsyeja që unë iu drejtova drejtoreshës duke i kërkuar të vinte në klasë, por ajo nuk e mori fare mundimin të vinte”, deklaroi mësuesja Ago.

Top Channel