Mali i Zi, në NATO. Shqipëria hedh firmën e para për pranimin e fqinjëve

19/05/2016 00:00

NATO ka nënshkruar me Malin e Zi marrëveshjen për anëtarësimin e këtij vendi në aleancë. Marrëveshja hyn në fuqi pas ratifikimit nga të gjitha vendet anëtare të aleancës, ndërsa Shqipëria ishte vendi i parë që firmosi këtë anëtarësim.

Për ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, procesi ka shumë rëndësi për sigurinë rajonale, por edhe për zgjerimin e aleancës në të ardhmen edhe me Kosovën.

Dita e parë e punimeve të ministerialit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s kulmoi me nënshkrimin e protokollit të aderimit të Malit të Zi në këtë organizatë.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u shpreh i bindur se shumë shpejt ky protokoll do të ratifikohet nga 28 vendet anëtare të saj dhe shumë shpejt, flamuri i Malit të Zi do të valëvitet në selinë e kësaj organizate në Bruksel.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, i cili ishte edhe i pari që vendosi firmën mbi dokument, u shpreh se kjo është një lëvizje shumë e rëndësishme për aleancën, por edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Me këtë akt nis edhe procesi i mëtejshëm i ratifikimit të këtij protokolli anëtarësimi. Në kontekstin aktual të sigurisë, me të cilën përballet Europa, mendojmë që është një lëvizje e zgjuar, sepse nga Lisbona në Stamboll një xhep i vogël përbënte boshllëk. Natyrisht politika e dyerve të hapura duhet të vazhdojë, në mënyrë NATO të projektojë stabilitet demokratik dhe siguri, si përgjigjja më e mirë dhe më efikase përkundrejt risqeve me të cilat përballet arkitektura e sigurisë në Europë, duke – shpresojmë, – thelluar nivelin e bashkëpunimit edhe me Kosovën”, tha Bushati.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel