Studentët e vezëve në gjyq, qëlluan Kryeministrin 7 muaj më parë

18/05/2016 00:00

Shtatë muaj hetime iu deshën Prokurorisë për të ngritur akuzat: “goditje për shkak të detyrës ndaj Kryeministrit të vendit dhe kundërshtim të punonjësit të policisë, ndaj studentëve që protestuan ndaj Kryeministrit të vendit.

8 studentë, u përballën sot me akuzat në gjykatë, për një protestë ndaj Kryeministrit të vendit kundër ligjit për arsimin e lartë, ngjarje kjo e ndodhur në nëntorin e vitit të kaluar.

Në seancën e hapjes së këtij procesi, studentët e pandehur janë mbështetur nga dhjetëra studentë të tjerë, të cilët e cilësuan këtë proces absurd dhe politik.

“Ky është një gjyq politik, ndaj i bëjmë thirrje të gjithë studentëve, qytetarëve që ndodhen jashtë gardhit të të privilegjuarve të bashkohen. Pafajësia e studentëve mund të fitohet vetëm duke e kthyer këtë proces nga brenda mureve të gjykatës në një gjyq publik Ne nuk frikësohemi!” u shpreh një studente.

Si prova në këtë proces, Prokuroria paraqiti procesverbalet e këqyrjes së vendit të ngjarjes, ku janë parë vezët e thyera si dhe dëshmitë e disa punonjësve të policisë.

Ndërsa, studentët dhe avokati i tyre që i përfaqëson, pritet të kërkojnë si dëshmitarë punonjës të gardës së republikës dhe vetë Kryeministrin Edi Rama.

Top Channel