Përgjimet, kreu i SHISH: Çfarë di unë për përgjimet e Tahirit

18/05/2016 00:00

Njeriu më sekretiv në Shqipëri erdhi në ambientet e Kuvendit vetëm me një shoqërues. Por, se kush do ta mbronte në këtë përballje nuk ishte sekret.

Pas një koordinimi final me demokratin Flamur Noka, njeriu i zgjedhur për të ruajtur sekretet e gjithë shtetit u vu përballë deputetëve për çështjen e përgjimeve, në një rrëfim që zgjati sa një ndeshje futbolli, plot 90 minuta dhe golat e Visho Ajazi Likës ishin vetëm në një portë: atë të Saimir Tahirit.

“Dy muajt e shkura morëm informacionin se një pajisje e teknologjisë së lartë kishte ardhur në Shqipëri dhe u informuam se ishte vendosur në Vlorë për trajnim. Ajo ishte “IMC Tech”. Problematika ishte sepse ishte një pajisje që kishte hyrë e padeklaruar brenda në vend”, deklaroi Ajazi Lika.

Në faqen e internetit të SHISH përcaktohet qartë se si duhet të sillet kreu i institucionit të sekreteve, nëse dyshon se diku apo nga dikush po cënohet siguria kombëtare.

Sipas ligjit 8391, të datës 28 dhjetor 1999, neni 5, paragrafi 3, ai duhet të njoftojë dhe raportojë te presidenti i Republikës dhe kryeministri i vendit. Visho Ajazi Lika shpjegoi përse vendosi që këtë informacion ta ndajë vetëm me kryeprokurorin Llalla.

“Duke informuar prokurorin e përgjithshëm që është personi përgjegjës për të gjitha përgjimet në këtë vend, unë mendoj se kreva detyrën time. Ai ishte një informacion i pakonfirmuar dhe nuk mund të shkonte direkt tek kryeministri. Ka qenë presidenti që më ka kërkuar të raportoja atë që dija dhe atë kam bërë. Potencialisht mund të ishte kërcënim për sigurinë kombëtare, por nuk e kisha të konfirmuar. Po ta kisha të konfirmuar, informacioni do të kishte shkuar me një shkresë tek kryeministri”, sqaroi Lika.

I kujdesshëm të ishte evaziv, mes një toni të ulët dhe shumë fjalëve anglisht, njeriu që ka dy mbiemra por edhe dy pasaporta, një shqiptare dhe një kanadeze, la të kuptohej se nuk ishte ndarë akoma nga pasioni i tij i dikurshëm, teknologjia, kur sqaroi se pajisjen që ai nuk e kishte parë, gjithësesi e njihte mirë. Me softuerin e duhur të programeve ajo mund të përdorej fuqishëm për përgjime.

“Pajisje të tilla janë mjaft të fuqishme, por varen nga konfiguracioni. Mund të kesh një pajisje vetëm për gjurmim, siç e ka thënë ministri i Brendshëm”, tha Lika.

Dhe në fund, pas 90 minutash të pazakonta, nën mbrojtjen e drejtuesit të seancës dëgjimore dhe pas pyetjeve vetëm nga deputetët e majtë, kreu i shërbimeve sekrete u largua duke u kthyer sërish në shtëpinë e tij të sekreteve, ku përgjimi është një aktivitet legal. 

Top Channel