Pajisja e përgjimit, “sikleti” i italianëve

18/05/2016 00:00

Interforca është një agjenci policore italiane që ndihmon policinë shqiptare. Emri i këtij misioni ishte ai që u përmend më shpesh, kur ministi i Brendshëm u pyet në Komisionin e Sigurisë përse pajisja e shumëpërfolur ishte në Vlorë.

“Nëse keni interes të dini se përse kjo makinë shkoi në Vlorë, pra kjo pajisje që nuk bën përgjim shkoi në Vlorë, unë them se duhet të pyesni misionin e Interforcës që kanë planin e trajnimit, ashtu siç e ka edhe policia shqiptare”, deklaroi në Komision, ministri Tahiri.

Misioni i Interforcës nuk ka bërë deri tani asnjë komunikimin publik, madje nuk ka komunikuar as me autoritetet shqiptare që po hetojnë rastin.

Burime zyrtare konfirmuan për Top Channel se Prokuroria i ka drejtuar misionit italian disa pyetje, por deri më tani nuk ka ende një përgjigjie. Edhe ambasadori italian e shmangu një përgjigjee direkte për hetimin, por jo për bashkëpunimin me Shqipërinë.

“Nuk mund të komentoj. Ka hetime në zhvillim. Mund të them vetëm që ka bashkëpunim maksimal mes Italisë dhe Shqipërisë”, tha ambasadori Alberto Cutillo.

Ambasadori italian ka një aktivitet të shtuar këto ditë. Top Channel mësoi se të martën pasdite ai është takuar me kreun e opozitës Lulzim Basha.

Nuk ka asnjë të dhënë nga biseda mes tyre, por gjuha e ashpër e Lulzim Bashës nuk mbuloi pritshmërinë negative të opozitës për hetimin.

“Nuk ka për t’u zbardhur ky skandal. Prokuroria nuk do ta zbardhë dot sa kohë që personat drejtpërdrejtë të përfshirë, Saimir Tahiri dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit vazhdojnë të kryejnë funksionet e tyre”, u shpreh Basha.

Po a është kjo një kërkesë për të cilën edhe Basha e di që nuk është e mundur, apo është ky një sinjal se heshtja e italianëve është shenja se hetimet, ashtu si tha Llalla, mund të mbyllen shpejt?

“Kjo pajisje nuk ofron përgjim, as fizikisht nuk e ka kapacitetin teknik për të bërë përgjim. Nëse do të ishte e kundërta, i bie që unë dhe ministri i Brendshëm italian paskemi shkelur ligjin”, do të deklaronte në Komisionin e Sigurisë, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Top Channel