Hetimet për pajisjen, Ardian Çipa pyetet në prokurori

18/05/2016 00:00

Zëvendesdrejtori i përgjitshëm i Policisë së Shtetit, Ardian Çipa, është zyrtari i parë i cili është thirrur në prokurori për të dëshmuar në lidhje me pajisjen teknike për të cilën opozita akuzon se janë kryer përgjime.

Burime të sigurta në organin e akuzës deklaruan se zëvendësdrejtori Çipa, i cili ka në varësi direkte edhe sektorin e hetimit të krimeve, ka mbajtur të njëjtin qëndrim siç ka deklaruar më parë Ministria e Brendshme.

Gjatë dëshmisë së tij, ai ka theksuar se, pajisja nuk ka teknikë përgjimi dhe se policia nuk ka kryer asnjë përgjim. Pajisja teknike është pjesë e një marrëveshjeje trajnimi nga policia italiane që nga viti 2007.

Në dëshmi thuhet se mjeti me të cilin ka ardhur kjo pajisje është regjistruar në doganë dhe se çdo gjë është kryer konform të gjitha rregullave ligjore në fuqi. Në dëshminë e numrit dy të Policisë së Shtetit thuhet se nuk është shkelur asnjë ligj dhe se pajisja nuk është blerë, dhe se ndodhet përkohësisht në Shqipëri për arsye trajnimi.

Prokuroria pritet të thërrasë të tjerë zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit për të dëshmuar në lidhje me hetimin e nisur për këtë çështje.

Top Channel