
Knut Fleckenstein, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, thotë se brenda 6 javëve Reforma në Drejtësi do të miratohet. Për këtë ka marrë fjalën e të gjitha partive në Kuvend, por eurodeputeti thotë se ka individë që nuk e duan këtë reformë. Ai thotë se i di emrat e atyre që e pengojnë atë, por nuk i bën të ditura.
“Reforma në Drejtësi për kolegët e mi dhe për të gjithë kolegët në Bruksel është një ndër rekomandimet më të rëndësishme për Shqipërinë, sepse vetëm nëse kemi gjyqtarë të drejtë e të paanshëm, atëherë mund të kemi drejtësi. Unë kam biseduar me të gjitha forcat politike, PS, PD dhe partinë e zotit Meta, dhe ata më kanë thënë se kanë vendosur që javën tjetër do ta miratojnë reformën. Është shumë e rëndësishme që brenda 6 javëve të ardhshme të miratohet ajo reformë, sepse vetëm atëherë mund të fillojnë diskutimet për futjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Unë dhe kolegët e mi në Bruksel i kemi bërë bisedimet e nevojshme dhe, natyrisht, ka interesa të individëve të veçantë që nuk duan të miratohet kjo reformë. E thënë me fjalë më të thjeshta, ju do ta merrni vesh pas 6 javëve se ky vend drejtohet nga politikanët e vërtetë apo nga këta individë që ju nuk i keni përzgjedhur”, tha Knut Fleckenstein, eurodeputet.
Fleckenstein thotë se ai është pro futjes së Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe anëtarësimit të të gjithë Ballkanit në union. Dhënia e liberalizimit të vizave për Kosovën e tregon këtë, thotë Fleckenstein.
Por për eurodeputetin, të gjitha reformat e tjera varen nga Reforma në Drejtësi. Edhe hapja e vendeve të punës, varet nga kjo reformë – thotë ai, – duke marrë parasysh se asnjë investitor nuk vjen në një vend ku nuk sundon ligji. Por kush e pengon këtë reformë?
“Disa emra i kam në kokën time, por nuk dua t’i them. Përsa i përket partive politike, ato janë shprehur se brenda 6 javëve se do ta miratojnë reformën dhe herën tjetër, kur të vij në fund të verës, do të shohim se kush ka thënë vetëm fjalë dhe kush ka bërë vepra”, tha Knut Fleckenstein.
Në takimin e organizuar në Universitetin e Shkodrës, eurodeputeti dha një mesazh edhe për studentët dhe kërkesat që ata duhet t’u bëjnë politikanëve.
“Ju duhet t’iu thoni atyre që të punojnë, të ngrenë duart lart dhe ta miratojnë këtë reformë. Miratimi i kësaj reforme është shumë i rëndësishëm, sepse i jep mundësi Shqipërisë të bëhet pjesë e klubit të Bashkimit Europian dhe ne do të jetojmë bashkë. Nëse jo, atëherë mbetemi miq, por do jemi vetëm fqinj”, tha Knut Fleckenstein.
Top Channel