Shifrat që futën Verstappenin në histori

16/05/2016 12:20

Në Barcelonë, Max Verstappen hyri në historinë e Formulës 1 si piloti më i ri që fiton një garë të këtij kampionati, 18 vjeç e 228 ditë. Por, për talentin holandez të Red Bullit është edhe një statistikë që e vendos atë në një rang me emrat më të njohur të Formulës 1 si Michael Schumacher apo Fernando Alonso. Verstappen arriti të fitojë garën në pistën e Montmelosë duke e nisur atë nga prapavija, gjë që ndodh për herë të tretë që nga viti 1991, kur Çmimi i Madh i Katalunjës zëvendësoi atë të Jerezit.

I pari që arriti të triumfojë në pistën e Montmelosë duke mos e nisur garën nga vendet e para ishte Michael Schumacher në vitin 1996, në vitin e tij të parë me Ferrarin. Në atë kohë, Schumacher e nisi garën nga vendi i tretë, ndërsa Verstappen ishte i katërti në vijën e startit.

Në vitin 2013, ishte Fernando Alonso ai që fitoi garën e Barcelonës pasi e nisi atë nga vendi i pestë, një garë që kujtohet si ndër më të mirat e tij në karrierë. Ndryshimi i vetëm në këtë pikë është se Alonso në 2013 fitoi pa u favorizuar nga përplasjet e pilotëve kryesues, siç ndodhi në rastin e Schumacher apo të Verstappen.

Gjithsesi, ajo që vlen të theksohet është se në 26 vjet garë në Montmelo vetëm këta 3 pilotë kanë mundur të fitojnë pa qenë në pole postiition, gjë që vërteton edhe njëherë se është vështirë të kryesh parakalime në pistën katalanase.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA