Kadare vlerësohet me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”

13/05/2016 00:00

Shkrimtari Ismail Kadare është dekoruar të premten nga Presidenti Bujar Nishani me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”.

Kreu i Shtetit nderoi shkrimtarin e shquar me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” me motivacionin: “Në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje të pakufishme për veprat e vyera letrare, për pasurimin e pashtershëm e të çmuar të letrave shqipe, si dhe për kontributin e jashtëzakonshëm dhënë në drejtim të lartësimit të emrit e vlerave të kombit shqiptar anembanë botës”.
 
“Natyrisht që vepra e Kadaresë nuk i përket vetëm kombit shqiptar. Është përtej kombit shqiptar. Ajo është vlerë e kulturës botërore. Ashtu si edhe vetë mjeshtri Kadare nuk i përket vetëm kombit shqiptar. Ai tashmë i përket fondit akademik, shkencor, kulturor botëror. Por natyrisht që ne shqiptarëve në radhë të parë na takon që ta referojmë veprën e Kadaresë dhe vetë mjeshtrin në radhë të parë me vetë identitetin tonë, me kontributin për kombin shqiptar. Jemi mbledhur të nderojmë sot në mënyrë simbolike kontributet e paçmuara të shkrimtarit Ismail Kadare në letërsinë dhe në gjuhën shqipe, në kulturën dhe mendimin shqiptar”, u shpreh Presidenti i Republikës.

Top Channel