Pronat, pakt me Strasburgun; Rama: Pas ligjit të ri, s’ka më padi ndaj shtetit

12/05/2016 00:00

Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të enjte në Parlament se Gjykata e Strasburgut ka pezulluar shqyrtimin e padive të reja të pronarëve kundër shtetit shqiptar.

Sipas tij, qeveria ka arritur një marrëveshje me këtë gjykatë, e cila ka hyrë në fuqi njëkohësisht me ligjin e ri të pronave.

“Dhe vonesa e shkaktuar me hyrjen e ligjit të pronave i dha Shqipërisë dhe një faturë shtesë financiare, por tashmë ligji është efektiv dhe gjykata nuk do të shqyrtojë më asnjë çështje të re”, deklaroi Rama.

Sipas tij, Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka cilësuar çështjen e pronave si rrezikun më të madh për qëndrueshmërinë financiare të vendit, duke kërkuar gjetjen e një zgjidhje urgjente.

“E kemi gjetur zgjidhjen. Nuk është zgjidhja ideale, por është më e mira që mund të bënim”, tha Rama.

Por kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu tha se ligji i ri është antikushtetues dhe u mohon të drejtën pronarëve.

Ligji i ri i pronave u ankimua në Gjykatën Kushtetuese nga presidenti i Republikës, i cili kërkoi pezullimin e tij, por kjo kërkesë u rrëzua.

Top Channel