KLD reagon për protestën e Bashkisë së Tiranës

12/05/2016 00:00

Edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë e ka cilësuar si formë presioni protestën e organizuar nga Bashkia e Tiranës përpara Gjykatës së Apelit Administrativ.

“Për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, këto akte dhe veprime të pamenduara si duhet, sjellin destabilizim të parikuperueshëm për sistemin gjyqësor, pasi çdo palë ndërgjyqëse në një proçes do t’i perceptojë si të drejtë të tij, kundërshtimin me protesta dhe presione politike vendimet që jepen nga gjykatat në emër të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e KLD.

Në reagim shtohet se “Kryetari i Bashkisë Tiranë dhe eksponentë të tjerë politik, përdorën terma poshtërues për gjykatat dhe gjyqtarët që prej vitesh japin drejtësi, duke pasur si qëllim, ndërhyrjen e drejtpërdrejte në veprimtarinë e pushtetit gjyqësor, ç’ka mund të sjell veçse demotivim dhe nënshtrim të sistemit të drejtësisë”.

KLD thotë se “pengimi përmes protestave, i funksionimit normal të veprimtarisë së Gjykatës Administrative të Apelit për disa orë, ndikon negativisht, në mënyrë të padrejtë, në imazhin e gjykatës dhe ul besimin e publikut në sistemin e drejtësisë”.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë kërkon nga trupa gjyqësore të vijojë veprimtarinë e saj duke patur në fokus të punës respektimin e procesit të drejtë gjyqësor.

Top Channel